Site icon Telegrafi

ORCA reagon në lidhje me shkarkimin e dy bordeve nga ana e kryeministrit

ORCA vazhdon të presë përgjigje në çështjet e ngritura dje lidhur me kërkesën dhe tashmë shkarkimin e bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).

Ndërkohë kjo kërkesë është shndërruar në vendim.

“ORCA është e shqetësuar me arsyet e pamjaftueshme të kërkesës së kryeministrit Haradinaj, drejtuar ministrit Bytyqi për shkarkimet në fjalë. Arsyet qendrore të kësaj letre të kryeministrit Haradinaj konsistojnë në ecurinë e procesit të akreditimit në të cilat thuhet se ky proces “është zhvilluar deri më tani me parregullsi të mëdha” dhe se procesi është shndërruar në “objekt të shpeshtë të diskutimit publik”, thuhet në reagim.

ORCA thekson se parregullsitë e mëdha janë zhvilluar nga ana e bartësve të arsimit të lartë, kryesisht atyre privatë të cilët e kanë rrezikuar dhe vazhdojnë ta rrezikojnë cilësinë e arsimit të lartë. Vendimet e fundit të AKA dhe KShC kanë qenë kundër këtyre parregullsive dhe në favor të ngritjes së cilësisë së arsimit të lartë në vend duke pezulluar qindra akreditime programesh të cilat nuk kanë plotësuar kriterin më minimal të 3 profesorëve bartës të tyre dhe duke tërhequr disa akreditime programesh si pasojë e mashtrimeve nga bartës të ndryshëm të arsimit të lartë.

ORCA ka përcjellë punën e këtyre trupave dhe konsideron se disa vendime të tyre i kanë kontribuar seriozisht rritjes së cilësisë së arsimit në vend, sidomos zvogëlimi i programeve që nuk plotësonin kriteret minimale duke i zvogëluar këto programe nga 486 sa ishin në vitin 2015 në 346 në vitin 2017. Pastaj pezullimi i 140 programeve të studimeve si pasojë e mungesës së stafit akademik. Mbyllja e institucioneve private të arsimit të lartë për mosplotësim të kushteve për akreditim. Ndalimi i mashtrimeve përmes paraqitjes së profesorëve nga vende të tjera si bartës programesh dhe ndalesën që profesorët të kenë më shumë se një vend të rregullt pune.

Ndonëse këto janë hapa fillestar dhe të pamjaftueshëm për arritjen e synimeve të ORCA-s në arsimin e lartë, ORCA e ka mbështetur këtë agjenci publikisht në disa raste të marrjes së këtyre vendimeve.

ORCA është shumë e shqetësuar me pjesën tjetër të arsyetimit për shkarkim e cila thotë se procesi i akreditimit është bërë “objekt i shpeshtë i diskutimit publik”. Në kohën kur të gjithë ne përsërisim tashmë parulla për transparencë institucionale, pa përjashtuar as vetë kryeministrin, një arsye e tillë për të bërë shkarkime ekspertësh është shqetësuese sidomos për neve si organizatë që angazhohet për transparencë institucionale.

Ne vërejmë se arsyet e dhëna janë të pamjaftueshme, por në anën tjetër kemi dyshime që këto shkarkime nuk vijnë për ta përmirësuar cilësinë në arsim, por për të mbrojtur interesa të caktuar të institucioneve private të arsimit të lartë që me sa duket Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë i kanë cenuar në përpjekjen e tyre për ta ruajtur cilësinë e arsimit të lartë në vend.

Ne presim nga zyra e kryeministrit sqarime shtesë për të na qartësuar neve dhe shoqërisë kosovare pozicionin e tyre ashtu që ne të formojmë pozicionin tonë karshi politikave të kësaj qeverie në arsimin e lartë. Presim nga kryeministri që t’i mbahet fjalëve të veta dhe të qeverisë në mënyrë transparente siç ka premtuar në disa paraqitje të tij publike. Shpresojmë që orientimi i kësaj qeverie të jetë ai i programit qeverisës për arsimin e lartë me të cilin ORCA arrin të identifikojë synime të përbashkëta.

Exit mobile version