Organizata për Cilësinë në Arsim (ORCA), nesër do të mbajë një protestë para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Në njoftimin e bërë nga ORCA, thuhet se protesta do të fillojë nga ora 12:00.
Tutje në njoftim thuhet se arsyeja e protestës është kundër ndërhyrjeve politike në pavarësinë e Këshillit Shtetërorë të Cilësisë (KSHC), bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Ndryshe, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vendosur që të mos i akreditojë disa universitete publike, Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka” dhe Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”.
Në njoftimin e bërë nga KSHC thuhet se vendimet janë në funksion të garantimit të cilësisë në arsim dhe mbrojtjes së familjeve dhe fëmijëve të tyre nga programe/institucione me cilësi të kontestueshme dhe larg standardeve evropiane./Telegrafi/