Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka deklaruar se Agjencia e Kosovës për Akreditim duhet të fillojë me monitorimin e kolegjeve dhe universiteteve.
Sipas saj, mungesa e monitorimit të mirëfilltë nga AKA ka qenë evidente ndër vite. Në publikimin e raportit të monitorimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë është thënë se gjatë vitit të kaluar, tetë kolegje nuk kanë ri-akreditim institucional.
Liridona Ademaj tha se gjatë vitit 2021 në proces të akreditimit institucional kanë qenë gjithsej 11 institucione te arsimit të lartë, ku prej tyre nëntë ishin private dhe dy ishin publike.
“Gjatë vitit 2021, dy universitete publike dhe pesë kolegje private janë riakredituar. Ndërkohë që katër kolegje private dështuan në procesin e riakreditimit institucional. Pra, gjithsej janë tetë kolegje që nuk kanë riakreditim institucional, pasi që nuk arritën të plotësojnë standardet e nevojshme dhe rrjedhimisht nuk mund të regjistrojnë studentë. Në universitete publike kanë akreditim gjithsej 123 programe bachellor, 92 programe master, shtatë programe të doktoratës dhe dy programe doktor shkence”, ka thënë Ademaj.
Derisa ka folur për programet e akredituara, Ademaj shtoi se në kolegje private 116 programe të nivelit bachelor dhe 58 programe master.
Në raportimin e monitorimit të KShC-së përmendet edhe dorëheqja nga pozitat e tyre e tre ekspertëve ndërkombëtarë për shkak të kërkesës për deklarimin e pasurisë.
“Në nëntor të vitit 2021, kryetari i komisionit për ankesa në Agjenci të Akreditimit kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë dhe që nga ajo kohë ky komision është ende jashtë funksionit. Gjatë vitit që lamë pas, drejtori i agjencisë pati denoncuar transfere të jashtëligjshme të studentëve nëpër programe studimore të kolegjeve. Ata i transferuan studentët nga një program në tjetrin, pavarësisht që programet në mënyrë thelbësore ishin të ndryshme prej njëra-tjetrës. E kjo po ndodhte si pasojë e kufizimit të numrit të kuotës së studentëve në programe të ndryshme”, ka shtuar ajo.
Më tej, theksoi se është e rëndësishme hyrja ne fuqi e Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim për të pamundësuar ndikimin politik.
“Monitorimi është proces formal që duhet kryer nga Agjencia për Akreditim, përmes të cilit verifikohet nëse institucionet e arsimit të lartë po e vazhdojnë plotësimin e rekomandimeve të ekspertëve të jashtëm dhe po i mirëmbajnë kushtet me të cilat janë akredituar. Kjo komponentë e Agjencisë nuk ka qenë aktive as gjatë vitit 2021 dhe mungesa e monitorimit të mirëfilltë nga AKA-ja ndaj institucioneve të cilave iu ka dhënë akreditim, ka qenë evidente ndër vite”, u shpreh ajo.
ORCA ka kërkuar angazhim për ri-anëtarësimin e Kosovës në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Edhe kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi ka folur për mungesën e monitorimit të institucioneve të akredituara.
“Një prej rekomandimeve të ENQA-s ka qenë monitorimi. Në momentin kur një program apo institucion akreditohet atëherë ata kanë obligim që të përfillin të gjithë rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë në lidhje me aplikimin dhe aprovimin e programit. Deri tash, monitorimi nuk ka funksionuar, ka ndodhur vetëm në momentin kur është dashur të ndodhë përsëri ri-akreditimi dhe të shqyrtohen edhe një herë këto rekomandime. Ndonjëherë, institucionet nuk i marrin shumë seriozisht këto rekomandime. Ne e kemi pasur një rast së fundmi që një institucion nuk është akredituar pikërisht sepse ekspertët ndërkombëtarë kanë konstatuar që asnjë prej rekomandimeve nuk janë implementuar”, ka thënë Ilazi.
Ajo ka njoftuar se gjatë muajit të ardhshëm do të ketë vizitë nga ENQA për raportimin e rekomandimeve, që janë parakusht për kërkesën e ri-anëtarësimit të Kosovës.
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi tha se këto institucione duhet të jenë të pavarura.
“Ne duhet të krijojmë një hapësirë për pavarësi institucionale për Agjencinë e Akreditimit, Këshillit Shtetëror të Cilësisë, respektivisht edhe komisionin e ankesave, në mënyrë që këta trupa t’i krijojnë rregullativën e brendshme që kanë të bëjnë me fushën e vlerësimit të jashtëm”, ka theksuar ai.
Gjatë vitit 2021, janë dhënë gjithsej 31 vendime negative për akreditim të programeve në institucione të arsimit të lartë publik e privat. 16 prej tyre janë dhënë për programe publike dhe 15 për programe të institucioneve private.