Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), gjatë prezantimit të raportit, janë alarmuar institucionet e arsimit për mospërputhje të veprimtarive të arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës.
Në forumin alarmues për gjendjen në arsimin e lartë, drejtori ekzekutiv i ORCA-s, Rron Gjinovci tha se të gjeturat e këtij raporti paralajmërojnë katastrofën dhe rrezikun që po i vije Kosovës në aspektin e mospërputhjes së nevojave të tregut të punës.
“Pse erdhën te ‘zilja’, është që, kur erdhi kjo qeveri patën pakë shpresa që mos po ndryshon diçka, dhe sa po e pamë që nuk është duke ndryshuar asgjë qysh ne kemi pritë, bëmë lëvizjen tonë të fundit ‘zilja’, raporti i paralajmërimit të hershëm. Pra, ideja e këtij forumi është me paralajmëruar pakë herët për katastrofën që po na vjen. Dhe çka më mirë se një raport që tregon për mospërputhjen e nevojave të tregut të punës dhe se çka po studiojnë studentët mund ta ilustrojë këtë rrezik që po na kanoset neve si shoqëri”, theksoi Gjinovci.
Prorektori për zhvillim dhe cilësi në Universitetin “Hasan Prishtina”, Elton Bahtiri ka kundërshtuar të gjeturat e këtij raporti sa i përket çështjes se Universiteti nuk ka politika orientuese për hartimin e programeve të reja.
“Ndonëse kemi pasur intervistën, unë sa i përket intervistës meqenëse është titull i madh, “Universiteti nuk ka politika orientuese për hartimin e programeve të reja”, për këtë që në fillim duhet me shfaq mos pajtimin tim, sepse unë kam deklaruar se si hartohet programi i ri. Ne në rundin e vitit të kaluar të akreditimit kemi pasur vetëm një program të ri studimor. Ne nuk mundemi si me shkop magjik t’i largojmë këto programet që ekzistojnë me dekada”, theksoi ai.
Hasnije Ilazi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, tha se nuk ka mekanizma përmes të cilëve Agjencioni mund t’i imponojë programet ose orientimet universiteteve.
“Natyrisht krejt dilemat në orientim se kah duhet me shkuar edhe tregu i punës , është diçka përtej kompetencave tona dhe kjo i përket vendimmarrjes politike. Ajo çka lidhet me kompetencë të Agjencisë së Akreditimit nga raporti i juaj, një prej tyre është që ky agjencion nuk ka politika orientuese mbi programet e akreditimit. Duhet ta dimë që ato politika orientuese në një farë forme mund të jenë vetëm sugjerime, i cili bazohet dhe duhet të bazohet në hulumtime për të cilat Agjencioni, pajtohem plotësisht, deri tash ka qenë i mangët… Ky orientim duhet gjithsesi të ketë parasysh edhe lirinë akademike të institucioneve të arsimit të lartë, sepse nuk ka mekanizma përmes të cilëve ku agjencioni mundet me i imponuar programet ose orientimet”, theksoi ajo.
Në këtë raport, ORCA ka hulumtuar përputhshmërinë e rezultateve të të nxënit në katër programe(banka financa dhe kontabilitet, elektron-energjetike, inxhinieri kompjuterike dhe gazetari me nevojat e tregut të punës në këto katër fusha.
Adea Kondirolli, menaxhere në e projekteve në ORCA, theksoi se sa i përket mospërputhjes së nevojave të tregut të punës, ankesat e bizneseve më të mëdha janë në sektorin e bankave dhe mediave.
“(Bizneset) Nuk që thonë se nuk dinë asgjë hiq, por tek bankat janë ankuar më shumë se sa në fushat tjera, ndërsa në inxhinieri kanë dhënë mendim që janë në rregull. Ndërkaq, në sektorin e bankave dhe gazetarisë ndoshta punët janë më specifike janë ankuar pak më shumë në aspektin e përgatitjes që ata e kanë ne nivelin teorik edhe ne nivelin e shkrimit”, theksoi ai.
Në raportin “Konfuzioni i madh – Pse nuk përputhet veprimtaria e institucioneve të arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës”, është adresuar edhe një preokupim që asnjë prej institucioneve të arsimit të lartë nuk bën matje të punësimit për studentët e diplomuar. /KP/