Site icon Telegrafi

ORCA me aksion simbolik: Jo biznese në arsim të lartë

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka zhvilluar këtë të mërkurë një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, përmes së cilit ka bërë thirrje që të ndryshohet statusi i kolegjeve private – nga biznese fitimprurëse në organizata jofitimprurëse.

Para mediave, Dibran Hoxha nga kjo organizatë ka thënë se kolegjet private janë dëmtuesit më të mëdhenj të cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë.

“Kolegjet private në Kosovë janë biznese dhe kjo nuk është shprehje metaforike, por një e vërtetë administrative. Imagjinoni kolegjet private dhe marketet në Kosovë regjistrohen njëjtë si biznese profitabile. Tregtari dhe eduktori të regjistruar nën statusin e njëjtë – atë të organizatës fitimprurësë”, është shprehur Hoxha, transmeton Telegrafit.

Tutje, ai ka thënë se koleget private në Kosovë “janë thjesht dhe vetëm diplomore, ku shumica e studentëve shkojnë vetëm sa për një diplomë”.

Ndaj, ka theksuar se ORCA kërkon që në projektligjin për Agjencinë e Kosovës për akreditim për të cilin sot mbahet dëgjim publik nga Komisioni parlamentar të përcaktohet qartë se akreditimi do t’u ofrohet vetëm institucioneve dhe organizatave jofitimprurëse.

“Vetëm kështu do të bëhej e mundur që paratë e mbledhura nga sukseset e tyre të mos përfundonin në vetura të shtrenjta e vila të pronarëve të tyre apo në xhepat e policëve, gjyqtarëve, prokurorëve, zyrtarëve ministrorë, deputetëve e ministrave, por në investim për laboratorë e institute, revista e biblioteka”. /Telegrafi/

Exit mobile version