Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav thotë se Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se Asociacioni është një nga marrëveshjet e dialogut që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 dhe si i tillë duhet të zbatohet pa vonesa.
Orav nënvizon se një gjë e tillë theksohet edhe në Raportin për Kosovën, derisa e quan të domosdoshme që Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023.
“E vërtetë, nuk është vetëm raporti i këtij viti që merret me dialogun por edhe raporti i mëparshëm është marrë me dialogun, sepse fillimisht Serbia dhe Kosova janë pajtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe Bashkimi Evropian në mënyrë aktive po e lehtëson këtë proces. Kështu që ka shumë më tepër se çfarë duhet bërë, dhe kaq shumë nga këto detyrime janë në një marrëveshje reciproke të cilat duhet të zbatohen. Është absolutisht e qartë”, thotë ai.
Duke folur për të ardhmen e dialogut, Orav thotë se dinamika e këtij procesi mbetet të shihet pas konstituimit të strukturave të reja në Bashkimin Evropian.
“Është e vështirë për mua sepse dua të them se duhet të vazhdojmë, nëse do të jetë pak më ndryshe, apo një mënyre tjetër që nuk më takon mua ta them për momentin sepse unë jam thjesht ambasador këtu në Kosovë dhe nuk mund të jap këtë lloj mendimi për momentin, por Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Brukseli dhe Përfaqësuesi i ri i Lartë duhet të vendosin se si të vazhdojnë kur komisioni i ri të vijë, dhe shpresojmë se do të ndodhë më 1 dhjetor por mund të ndodhë edhe pak më vonë”, thekson Orav.
Megjithatë, diplomati evropian, konsideron se Kosova e ka detyrim ligjor të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Gjatë këtyre viteve kur Kosova dhe Serbia po negociojnë në këtë proces të dialogut, janë arritur disa marrëveshje, dhe Asociacioni i shumicës serbe [komunave] është një nga marrëveshjet. Mendoj se vetëm një marrëveshje është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës me shumicë dy të tretat e votave. Dhe është një detyrim ligjor për ta bërë atë, dhe për ta zbatuar atë, pra si në latinisht “Pacta sunt servanda” [marrëveshjet duhet të respektohen], kështu që marrëveshjet duhet të respektohen dhe zbatohen”, shton ai.
Duke përmendur Raportin e progresit për vendin, ambasadori Orav, thotë se Kosova ka pasur përparim të mirë në disa fusha.
Ai thekson funksionimin e mirë të liberalizimit të vizave, linjëzimin e politikës së jashtme të Kosovës me Bashkimin Evropian, agjendën e reformave dhe zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA.
“Mendoj se do të veçoja katër fusha, njëra është liberalizimi i vizave, më në fund u krye dhe u desh shumë kohë, por më në fund është aty dhe tani liberalizimi i vizave po funksionon shumë mirë. E dyta është ndjekja vullnetare nga Kosova e politikës, së jashtme dhe të sigurisë, së përbashkët të Bashkimit Evropian.
Dua të them se mund të tingëllojë pak e mërzitshme, por për ta thënë më konkretisht, Kosova i është bashkuar Bashkimit Evropian në sanksionet e saj kundër Rusisë, kundër Bjellorusisë, dhe kjo është e jashtëzakonshme sepse Kosova po e bën këtë në baza vullnetare.
Pastaj e treta është agjenda e reformave, kur presidentja Ursula Von Der Layen ishte këtu ajo theksoi gjithashtu se sa mirë ka punuar Kosova me agjendën reformatore, dhe unë mund ta përsëris atë. Dhe fusha e katërt është CEFTA, sepse tani Kosova po merr pjesë në punën e CEFTA-s, janë zhbllokuar 12 marrëveshje të rëndësishme për rajonin dhe mendoj se ky është një hap shumë i mirë për Kosovën por edhe për të gjitha vendet e tjera të rajonit drejt tregut të përbashkët”, thekson Orav.
Duke folur për Raportin e Komisionit Evropian, Orav deklaron se Kosova ka bërë progres të kufizuar në reformën në drejtësi.
“Nuk ka ngecje në këtë raport, por në disa raste, po, kemi përmendur se është bërë vetëm progres i kufizuar, por është prapë progres, por ende pak gjëra duhen bërë, dhe këtu mund të përmend ndoshta reformën në drejtësi kur ende ka pak gjëra që duhen bërë. Dhe gjithashtu liria e medias, në përgjithësi ka liri të medias, mjedisi mediatik është shumë pluralist, por më pas ka pikëpyetje për pronësinë, transparencën dhe financimin e medias, ku ende ka shumë për të bërë”, përfundon Orav. /KP/