Paralajmërimet dhe kërcënimet se si pasojë e forcimit të frangut do të ketë shkurtime të vendeve të punës ose zgjatje të orarit të punës, kanë filluar të realizohen. Punëtorët e koncernit industrial Georg Fischer në Shaffhausen do të detyrohen të punojnë me orar të zgjatur, gjegjësisht nga katër orë në javë më gjatë se deri më tash. Kjo zgjatje e orarit fillon menjëherë dhe nënkuptohet, pa rritje të pagave.
Udhëheqja e koncernit bën me dije se shkak i gjithë kësaj është forcimi i vlerës së frangut, shkruan srf.ch. Për fillim kjo masë vlen vetëm për vendet e punës që koncerni i ka në Zvicër dhe për periudhën kohore deri në fund të vitit.
Shefi i kompanisë, “Georg Fischer”, Yves Serra ka deklaruar se vendimi është marrë në marrëveshje me përfaqësuesit e personelit.
“Marrëveshja na mundëson të shtojmë produktivitetin dhe të promovojmë edhe më tutje aftësinë konkurruese të aktiviteteve tona në Zvicër. /Telegrafi/