Site icon Telegrafi

Orari i kujdestarisë, protestojnë disa nga barnatoret në kryeqytet

Disa nga barnatoret në kryeqytet sot po protestojnë në shenjë pakënaqësie lidhur me vendimin e  Komunës së Prishtinës për kujdestari.

Sipas këtij vendimi nga e hëna deri të shtunën pesë barnatore në gjithë kryeqytetin qëndrojnë të hapura gjatë natës. Ndërkaq, të dielën dhe festave janë dhjetë barnatore kujdestare.

E barnatoret që kanë nisur sot protestën po kërkojnë që të ndryshohet ky vendim.

“Në shenjë pakënaqësie për faktin se jemi vënë në pozitë te aktit të kryer, barnatoret e paraqitura në kërkesë do të organizojnë protestë ditën e diel datë 19.11.2023, duke i hapur barnatoret por duke mos shitur barna, dhe atë çdo të diele deri në ndryshimin e kësaj rregulloreje dhe rikthimin e orarit të vjetër. Kjo shkresë është njoftim për protestë. Kjo rregullore madje ashpërson gjobat ndaj bizneseve-barnatoreve prandaj është në kundërshtim me parimin kushtetues të proporcionalitetit në raport me dëmin që i shkaktohet shtetit prandaj ankuesit presin që komuna të mos shqiptoj gjoba për protestën e organizuar nga barnatoret ankuese”, thuhet në shkresën e dorëzuar dy ditë më parë.

Lexo po ashtu Vendoset kujdestari 24-orëshe për barnatoret në Prishtinë

Rreth një muaj më parë, komuna e Prishtinës kishte marrë vendim për ndryshimin e rregullores për orarin e punës për barnatoret duke e kufizuar atë deri në ora 21:00.

Pas orës 21:00, komuna e Prishtinës me rotacion kishte caktuar disa barnatore kujdestare të cilat do të ishin në dispozicion të qytetarëve gjatë natës.

“Orari i kujdestarisë së natës për barnatore është prej orës 21:00 deri në 07:00, kujdestarojnë 5 (pesë) barnatore në gjithë kryeqytetin. Gjobiten me nga 300 deri në 1000 euro personi fizik dhe nga 1000 deri në 3000 euro personi juridik, nëse nuk i përmbahen orarit të përcaktuar. Orari i barnatoreve kujdestare do të publikohet së shpejti”, thuhej në njoftimin e komunës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version