Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, mund të shkojnë me një listë të përbashkët në zgjedhje kurdo që mbahen ato.
Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike në vend, Imer Mushkolaj dhe Nexhmedin Spahiu. Mirëpo, sipas tyre, problemi kyç, përçarës në këtë rrugëtim, mund të jetë tek kandidati për postin e kryeministrit.
Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është parë dhe nga e kaluara se partitë politike mund të veprojnë me një planprogram të përbashkët.
“Ne kemi parë dhe në të kaluarën, ku në listën e PDK-së është shkrirë Partia Drejtësisë, e cila ka promovuar vlera krejtësisht të tjera nga PDK-ja. Kemi parë dhe raste të tjera të panumërta që janë bërë pjesë e listave të partive më të mëdha. Kështu që, nëse kanë vullnet, mund të kandidojnë me një listë dhe program të përbashkët”, ka thënë Mushkolaj, duke shtuar se çështja më problematike në këtë rrugëtim do të jetë kandidati për kryeministër.
“Çështja me problematike në mes të tyre do të jetë se kush do të jetë kandidat për kryeministër. Ne e dimë se z. Haradinaj është kandidat i përjetshëm për kryeministër dhe e ka obsesion të bëhet kryeministër, pavarësisht se çfarë thotë ai. Kjo mund të jetë ajo pika kyçe e mospajtimeve. Pastaj është çështja e përfshirjes së njerëzve jopolitikë apo hyrja e shoqërisë civile në listë të përbashkët dhe këtu z. Haradinaj ka një hezitim”, ka deklaruar Mushkolaj.
Sipas tij, nëse opozita pajtohet që në listën e përbashkët të jenë edhe individët nga shoqëria civile, atëherë opozita mund të forcohet më shumë.
“Përfshirja e tyre besoj se do të ishte mirë dhe do ta forconte opozitën po qe se njerëzit nga shoqëria civile do të përfshiheshin në një listë të përbashkët, përndryshe më shumë do të mund të fitojnë vota po qe se dalin në listë të përbashkët sesa të shkojnë veç e veç”, ka thënë ai.
Ndërkaq sa i përket ideologjisë së Lëvizjes Vetëvendosje! për bashkimin kombëtar me Shqipërinë, Mushkolaj ka thënë se kjo çështje s’do të jetë problem për të bashkëpunuar më partitë e tjera.
“Nuk besoj se është problem pika e bashkimit kombëtar, për shkak se nuk është një prioritetet në kuptimin e një problemi që mund të jetë sfidë për t’u tejkaluar, pra në kuptimin e bashkimit të të gjitha këtyre partive karshi kësaj kauze. Nuk është një kauzë që mund të realizohet shpejt por, nëse është shpejt, mund të vendosë njëfarë moratoriumi, por nuk besoj se do të jetë problem çështja e bashkimit kombëtar. Këtu problem do të jetë çështja e kandidatit për kryeministër. Kurse sa i përket bërjes së programit, natyrisht se cila parti mund të propozojë pjesët e veta. Do të ishte absurde për të menduar se nuk mund të merren vesh për çështje thelbësore”, ka deklaruar Mushkolaj.
Edhe analisti tjetër politik, Nexhmedin Spahiu ka thënë se pika kyçe dhe ndarëse në mes të opozitës nëse shkon me një listë të përbashkët do të jetë tek kandidati për kryeministër.
“Mendoj se problemi kyç për opozitën është se kush do të jetë kandidat për kryeministër. A do të jetë Albin Kurti apo Ramush Haradinaj?! Kjo është çështja e cila mund ta përçajë opozitën, të tjerat mund të jenë probleme të vogla që shumë lehtë menaxhohen, pa sjell telashe”, ka thënë ai.
Edhe Spahiu ka thënë se çështja e bashkimit kombëtar, në të cilën insiston Lëvizja Vetëvendosje!, nuk do të jetë pengesë e bërjes së planprogramit të përbashkët të opozitës.
“Bashkimin kombëtar Lëvizja Vetëvendosje! nuk e ka çështje serioze. Ajo shikon për ta marrë pushtetin në Kosovë e, pa e marrë pushtetin, s’mund të bëjë asgjë në këtë drejtim. Lëvizja Vetëvendosje! bashkimin me Shqipërinë s’mund ta bëjë, pasi Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe e mbron NATO-ja. Nuk mund ta bashkosh shtetin me dhunë nëse tjetri shtet nuk do”, ka thënë Spahiu, duke shtuar se Shqipëria nuk e do bashkimin me Kosovën.
“Shqipëria është e kënaqur me atë që Kosova është e pavarur. Bashkimi me Shqipërinë është vetëm përrallë dhe s’ka asgjë në këtë drejtim. Madje edhe krerët e Vetëvendosje!-s e dinë këtë gjë. Nuk di pse po u duket e rrugës ta përdorin këtë zhargon i cili nuk u hynë në punë asgjë”, ka thënë Spahiu.