Deputetët e gjertanishëm të Kuvendit të Serbisë, Janko Veselinoviq dhe Danijela Grujiq, kanë njoftuar se do ta ndërpresin grevën e urisë me këshillën e mjekëve.
Veselinoviq ka njoftuar në Twitter se të dy janë vendosur në Qendrën Klinike të Vojvodinës.
“Ne jemi mire. Mos u shqetësoni. Nuk e kemi përfunduar ende grevën e urisë. Por, me këshillën e mjekut do ta bëjmë sot”, ka shkruar Veselinoviq në platformën X.
Danijela Grujiq filloi grevën e urisë më 21 dhjetor, ndërsa Janko Veselinoviq dy ditë më vonë, raporton N1.
Danijela i ja smo smešteni u bolnicu, Klinički centrar Vojvodine. Dobro smo. Ne brinite. Još nismo prekinuli štrajk glađu. Ali na savet lekara ćemo to danas učiniti. Imamo jednu molbu za sve vas. U subotu budite u Beogradu u 12.00. I još nešto – krađa ne sme da prođe.
— Janko Veselinovic (@j_veselinovic) December 28, 2023
Koalicioni kryesor opozitar, “Serbia kundër dhunës” kërkon anulimin e zgjedhjeve me pretendimin se ka pasur vjedhje elektorale. Për këtë arsye, disa përfaqësues të këtij koalicioni hynë në grevë urie.
Aktualisht tre përfaqësues të koalicionit “Serbia kundër dhunës” janë në grevë urie në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë, ku ndodhet selia e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve. Së bashku me Marinika Tepiqin, janë edhe Jelena Millosheviq dhe Branko Miljush.
Qytetarët protestojnë së bashku me përfaqësuesit të koalicionit opozitar, “Serbia kundër dhunës” që nga 18 dhjetori, me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve. Partia Progresive Serbe në pushtet dhe udhëheqja shtetërore mohojnë akuzat për vjedhje të zgjedhjeve.
Zgjedhjet parlamentare, provinciale dhe lokale në Serbi u mbajtën më 17 dhjetor në 65 qytete dhe komuna, përfshirë Beogradin. /Telegrafi/