Tri subjektet opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, AAK-ja e “Nisma për Kosovën”, përfundimisht kanë vendosur që të mos kthehen në Kuvend gjatë këtij mandati, me përjashtim të rasteve, siç thonë ata, kur trajtohen çështje të veçanta.
Opozitarët vazhdojnë ta konsiderojnë bojkotimin e punës së Kuvendit si formë të duhur për ta kundërshtuar Qeverinë “Mustafa”, të cilën ata e konsiderojnë shkelëse të Kushtetutës.
Ndërkaq, lidhje me këtë analistët mendojnë se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe të japin kontributin e tyre pasi sipas tyre, opozita është votuar nga qytetarët e këtij vendi.
Analisti, Imer Mushkolaj ka thënë për “Zëri”, se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe të jep kontributin e vet aty. Po ashtu, ai ka thënë se bojkotimi i punës së Kuvendit dhe veprimet jashtë nuk janë treguar efektiv, andaj opozita duhet të reflektoje seriozisht se si të veprojë tutje.
“Me kontributin në Kuvend, sidomos për çështje të rëndësishme, opozita do të tregojë se është e interesuar seriozisht për zgjidhjen e problemeve. Përndryshe, nëse opozita vazhdon bojkotimin e punës së Kuvendit, atëherë duhet të argumentojë qartë para qytetarëve se çfarë do të arrihet me këtë formë të protestës dhe pse ata duhet të mos marrin pjesë në punën e Kuvendit, por duhet t’i marrin pagat”, ka thënë Mushkolaj.
Po ashtu, edhe analisti politik Halil Matoshi ka thënë se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe të debatojë. Matoshi ka thënë se opozita duhet të jetë pjesëmarrëse në Kuvend ku sipas tij ata janë zgjedhur nga populli që t’i përfaqësojnë interesat e tyre.
“Mendoj se opozita duhet të kthehet në Kuvend në mënyrë që të debatojë për çdo çështje që ka lidhje me këtë vend”, ka thënë Matoshi.