Telegrafi

Opozita thotë se vendi është kthyer në poligon të hajnisë e krimit

Opozita e bashkuar ka mbajtur takimin mobilizues, ku u tha se nuk do të ndalen së protestuari deri në largimin e kësaj qeverisje e cila po ia gërryen themelet Kosovës. Sipas opozitës, Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli janë treshja e krimit dhe korrupsionit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se Kosova po rrezikohet nga “Zajednica”,por po rrezikohet edhe nga shteti policor dhe diktatura e cila po e rrënon demokracinë.

“Ne jemi në rezistencë qe shtatë muaj dhe do të vazhdojmë sepse nuk e pranojmë kurrë këtë regjim. Kjo politikë duhet të shuhet nga institucionet dhe Kosova të mbetet e pavarur. Largimi i tyre është i domosdoshëm. Kjo qeverisje po ia gërryen themelet Kosovës. Ata po i mbrojnë interesat e Serbisë. Ky regjim po u hap rrugë mallrave të Serbisë. Hashimi, Isa e Kadria janë treshja e krimit dhe korrupsionit”, ka thënë ai.

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se të gjithë janë të zhgënjyer me situatën në vend, pa dallime partiake.

“Mënyra e vetme për luftimin e këtij regjimi është bashkimi. Ne, opozita, jemi më të bashkuar se asnjëherë më parë që ta largojmë këtë qeveri. Do të rrimë të bashkuar deri në arritjen e synimeve tona. Pozita po na teston sa jemi të vendosur, por jemi më të vendosur se asnjëherë, sepse nuk kemi atdhe rezervë”, tha Limaj.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se këta njerëz e kanë kthyer Kosovën në vend të pasigurt duke e bërë vendin poligon të hajnisë e krimit.

“E kanë lanë pa pagë, pa sigurim e pa të ardhura qytetarët. Kosova është edhe në veri, Trepça është Kosovë, Brezovica është Kosovë dhe do të mbeten përgjithmonë. Po duan me kthye Kosovën në marren e tyre. Për me i dal zot vendit tonë, duhet me protestu me 26 mars”, tha ai.

Haradinaj kësaj radhe ka thënë se Thaçi e Mustafa e kanë shndërruar Kosovën në pligon të hajnisë dhe krimit.

“Hashim Thaçi e Isa Mustafa e kanë bërë Kosovën poligon të hajnisë e krimit”, duke shtuar se Kosova ka mbetur pa pensione e sigurim shëndetësor.

Haradinaj ka përmendur disa vende karakteristike të Kosovës duke thënë se janë ende të Kosovës, si Trepçën, Ujmanin, Brezovicë, Rugovën e Çakorrin./KP/