Qeveria e Kosovës ka aprovuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Marrëveshjes për zbatimin e Programit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Kjo marrëveshje pritet t’i dërgohet Kuvendit për miratim. Ndryshe nga disa marrëveshje të tjera ndërkombëtare të cilat nuk kanë kaluar ose ju është dashur më shumë kohë për të bindur opozitën, kjo e MCC do të ketë mbështetjen e PDK-së dhe të AAK-së.
Programi Kompakt në vlerë prej 234 milionë dollarëve do të përfshijë dy projekte: rezerva dhe arbitrazh të energjisë, bateritë me kapacitet të lartë mbi 200 Mwh dhe zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë.
Deputeti i PDK-së, partisë më të madhe opozitare, Mërgim Lushtaku, deklaroi se do të mbështesin marrëveshjen e MCC sepse është në të mirën e vendit. Ai tha se është mirë që edhe Qeveria e Kosovës ka reflektuar dhe po mbështet projektet që dikur ka i kritikuar.
“Po, parimisht ne kemi mbështetur çdo mbështetje ndërkombëtarë sa i përket edhe pjesës strategjike për investime që i përmirësojnë jetën e qytetarëve, jetën e bizneseve në Kosovë, por edhe në tërësi jetën e Kosovës si shtet i pavarur. Ne mirëpresim çdo bashkëpunim dhe vazhdim të kontratës edhe me MCC-në. Sigurisht neve na vjen mirë që edhe Qeveria e Kosovës po reflekton dhe po mbështet projekte të cilat janë në të mirën e qytetareve të Kosovës, kur e dimë që deri dje janë kritikuar këto marrëveshje dhe janë stagnuar në një formë tjetër”, tha ai.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh anëtar i Komisionit për Buxhet, Pal Lekaj tha se do të mbështesin marrëveshjen pavarësisht se ajo duhej të ishte miratuar, sipas tij, që në vitin 2019.
“Sa i përket marrëveshjes e MCC është një marrëveshje që kontribuon Kosovës, sidomos në sektorin e energjisë dhe ne si Aleance e Ardhmërisë së Kosovës e mbështesim fuqishëm, sepse ka ardhur në një kohë të duhur. Mirëpo çdo herë kemi insistuar që nga viti 2019 që marrëveshja me MCC-në të miratohet, nënshkruhet por ka pas vonesa pothuajse tri vite. Por, asnjëherë nuk është vonë kur përfiton Kosova”, deklaroi Lekaj për KosovaPress.
Ndërsa deputeti i LVV-së, Armend Muja tha se pret mbështetjen e të gjitha partive për këtë marrëveshje. Ai u shpreh se ka pasur shumë spekulime për të njëjtën, por qasja ka qenë e kujdesshme dhe tashmë investimi do të bëhet në sektorin ku ka më së shumti nevojë.
“Kjo marrëveshje është konkluduar, me frymën e bashkëpunimit dhe partneritetit afatgjatë strategjik të përhershëm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë një kontribut thelbësor për sektorin e energjisë. Ka pasur shumë diskutime, spekulime për këtë marrëveshje, që qasja ka qenë e kujdesshme, por ka shkuar asistenca aty ku më së shumti ka nevojë Kosova, që është në investimin dhe zgjerimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë, eficiencën e energjisë dhe mbi të gjitha përfshirjen e vajzave dhe grave në tregun e punës në kuadër të këtij sektori. Ne shpresojmë që nesër gjatë kësaj jave kjo marrëveshje do të konkludohet”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër dhe pasnesër në dy seanca të ndryshme. Mazhoranca insiston që marrëveshja me MCC të ratifikohet sa më shpejt në Kuvend. Parlamenti ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare me votat e dy të tretave e të gjithë deputetëve./kp/Telegrafi/