Telegrafi

Opozita të heqë dorë nga propaganda

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha tha se opozita nuk ia doli dot të bllokojë procesin e liberalizimit të vizave dhe tani po mundohet të krijojë konfuzion te qytetarët shqiptarë.

“Qytetarët shqiptarë e kanë pritur liberalizimin e vizave, si një akt çlirues, pasi përbënte rrëzimin e një muri në shumë raste të pakalueshëm. Por edhe në drekën kur merrej vendimi historik, njerëzit e Edi Ramës u deklaronin kolegëve të vetë se vendimi do të jetë negativ”, tha Berisha, njofton Start.

Sipas tij, e gjithë kjo fushatë trillimesh nga opozita, ndërmerrej pasi ky ishte një premtim solemn i qeverisë, ndaj dhe sipas tyre nuk duhej të realizohej. "Në asnjë rast tjetër, nuk ka patur ndonjë forcë politike që të jetë angazhuar kundër interesave jetike të qytetarëve”.

Duke i kërkuar opozitës që të heqë dorë nga kjo propagandë primitive, Berisha tha se liberalizimi i vizave është vendim personal për çdo shqiptar, pavarësisht nga bindjet partiake. /Telegrafi/