Site icon Telegrafi

Opozita shënon fitore të rrallë në Bjellorusi

Dy kandidatë opozitarë kanë fituar ulëse në zgjedhjet parlamentare në Bjellorusi, duke shënuar përfaqësimin e parë në 20 vjet.

Komisioni Zgjedhor tha se Anna Konopatskaya, nga Partia e Bashkuar Civile, ka fituar njërën nga 110 ulëset në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Kandidatja e pavarur, Yelena Anisim, e cila ka lidhje me opozitën, ka fituar po ashtu ulëse.

Konopatskaya dhe Anisim do të jenë parlamentarët e parë opozitarë në Bjellorusi që nga viti 1996. Parlamenti ka qenë i dominuar nga aleatët e presidentit Alyaksandr Lukashenko.

Zgjedhjet janë mbajtur të dielën dhe pjesëmarrja ka qenë 74.32 për qind.

Korrespondentët thonë se pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje ka qenë koncesion për thirrjet e Perëndimit për më shumë transparencë në Bjellorusi.

Vëzhguesve të jashtëm po ashtu u është dhënë qasje në numërimin e votave.

Zgjedhjet e fundit parlamentare më 2012 janë bojkotuar nga dy partitë kryesore opozitare.

Nga 521 kandidatët që kanë garuar këtë herë, 176 kanë qenë nga partitë opozitare. /rel/

Exit mobile version