Shefat e Grupeve Parlamentare të partive opozitare, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, kanë mbajtur një konferencë për media kundër dialogut që pritet të nis sot në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë.
Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën ka thënë se si opozitë konsiderojnë se ky dialog pa një format të riformuar mirë nuk është në favor të shtetit dhe qytetarëve tanë.
“Shkuarja e Thaçit dhe Mustafës atje është nënshtrim ndaj shtetit Serb”, ka thënë Bajrami.
Kurse Glauk Konjufca nga VV-ja para medieve ka ftuar deputetët e koalicionit qeverisës që të japin nënshkrimin për seancë të jashtëzakonshme.
“Ne kemi të miratuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, dhe kjo rezolutë e obligon qeverinë që sa herë të shkojë në Bruksel të raportojë para deputetëve. Ne vetëm nga mediat dëgjuam se do ta kemi përfaqësim të lartë institucional në Bruksel. Ne po kërkojmë të thirret seancë e jashtëzakonshme, e këtë do të duhej ta bënte pushteti, por meqë ata nuk e bënë jemi të obliguar ne si opozitë që të mos rrimë duarkryq”, ka thënë Konjufca, transmeton Telegrafi.
Ai më tej ka thënë se kryeministri Mustafa dhe presidenti Thaçi kanë shkuar në Bruksel krye në vete pa i pyetur fare opozitën.
Kurse Pal Lekaj nga AAK, kryeministrin Isa Mustafa dhe presidentin Hashim Thaçi i ka quajtur kryeservila që sipas tij diskutojnë me pasardhësit e Millosheviqit.
“Kohëve të fundit Serbia ka pasur fjalorë luftë nxitës dhe pretendime territoriale, e këta kryeservila shkojnë dhe bisedojnë me pasardhësit e Millosheviqit”, ka thënë Lekaj.
Ai ka shtuar se bisedimet duhet të ndalen dhe të riformatohen, duke theksuar se Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës.
Lekaj në fund u ka bërë thirrje Mustafës e Thaçit që të mos bëjnë lojëra me shtetin e Kosovës, pasi siç tha ai qytetarët e kanë humbur durimin. /Telegrafi/