Site icon Telegrafi

Opozita përplaset me pushtetin: Nuk do të ketë normalitet në Kuvend nëse tentohet të cenohet pavarësia e komunave

Deputetët e pozitës dhe opozitës kanë debatuar lidhur me menaxhimin e financave vetanake të komunave.

Në hyrje të seancës parlamentare, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se po bëhen shkelje nga ana e Ministria e Financave lidhur me të hyrat e komunave.

“A janë të vetëdijshëm se ka kaluar Buxheti, përkatësisht neni 9.6 është ndryshuar me amendamentin e LDK-së me i dhënë të drejtë komunave shfrytëzimin e të hyrave vetanake. Nuk mund të ndalet dhe nuk mund të punohet me këtë arbitraritet”, tha Tahiri.

“Mbi çfarë baze i ndalni të hyrat vetanake, atëherë dine se do të vazhdoj saga e shkeljeve kushtetuese”, shtoi ai.

Duke i reaguar ministrit të Financave, ai ka thënë se është e padrejtë marrja e buxhetit të komunave.

Lexo po ashtu Rama akuzon MF-në se po bllokon të hyrat vetanake: Veprim i qëllimshëm për të ndalur zhvillimin e kryeqytetit

“Jemi dakorduar që mos t’i prekim të hyrat vetanake të komunave. Tash jeni kthyer komunave t’ia merrni buxhetin. Me çfarë baze ndërhyni. Është e padrejtë. Këtë çështje nuk do të kaloj në Kuvend. Absolutisht nuk mund ta bëni këtë”, u shpreh ai.

Ndërsa, ministri Hekuran Murati tha se kjo çështje rregullohet me Ligji për Menaxhimin e Financave Publike të cilat parasheh bartjen e të hyrave vetanake nga viti vijues.

“Kjo çështje rregullohet me Ligji për Menaxhimin e Financave Publike të cilat parasheh bartjen e të hyrave vetanake nga viti vijues. Ligji për Buxhetin e parasheh këtë dhe po e zbatojmë këtë”, tha Murati.

Në fund, i pari i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se Nuk do të ketë normalitet në këtë Kuvend nëse tentohet që të cenohet pavarësia e komunave.

“Ministri i Financave po tenton të prek atë që është e rregulluar me Ligjin e Menaxhimin e Financave Publike. Financat lokale menaxhohet nga Ligji për Menaxhimin e Financave Lokale. Prandaj, mos bëni kësi skena, se po na detyroni të shkojmë në drejtime që janë të pakthyeshme. Ju garantoj se nuk do të ketë normalitet në këtë Kuvend nëse tentohet që të cenohet pavarësia e autoriteteve lokale apo komunave. Nuk ki me pas mundësi që t’i merr paratë e komunave”, përfundoi Gashi. /Telegrafi/

Exit mobile version