Opozita reagon në lidhje me deklaratat e policisë se në protestën e nesërme mund të ketë dhunë.
“Opozita e Bashkuar dënon më forcë deklaratën e Policisë Politike dhe të Ministrit të fundit të Brendshëm të diktaturës komuniste për nxitjen e dhunës nga opozita në protestën e së enjtes para Kuvendit të Shqipërisë. Nëse ka një skenar dhune apo sulmi ndaj institucioneve, ky skenar gjendet në zyrën e Edi Ramës. Të tilla thirrje nga Policia Politike e Edi Ramës janë të dala boje”, thuhet në reagim.
Sipas opozitës protesta e 16 shkurtit provoi se mes protestuesve nuk ka kriminelë.
“Opozita e Bashkuar njofton bandën në krye të qeverisë, Kuvendit dhe të Policisë se koha e kërcënimit të shqiptarëve ka ikur!
Edi Rama mund të ndryshojë axhendën e Parlamentit “339”, mund të arratiset vetë nga Tirana, por është i pafuqishëm të ndryshojë axhendën e popullit!
Sovrani do të ushtrojë nesër të drejtat e tij, në orën 10.00 para Parlamentit, i cili nuk duhet të mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por t’u kthehet sa më shpejt Shqipërisë dhe shqiptarëve”, mbyllet deklarata.