Site icon Telegrafi

Opozita nuk do të jetë pjesë e formimit të Asociacionit, ftesën e Mustafës e quajnë provokim

Partitë opozitare në Kosovë, Vetëvendosje,  AAK dhe Nisma nuk kanë përkrahur idenë e kryeministrit, Isa Mustafa, që edhe ato të jenë pjesë e procesit të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vlerësojnë se më këtë marrëveshje është shkelur Kushtetuta dhe se nuk mund të korrigjohen gabimet e bëra me hartimin e një statuti.

Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë dhe zëdhënës i AAK-së, ka thënë për lajmi.net se para hartimit të statutit duhet të rishikohet marrëveshja.

“Kushtetuta është cenuar në çdo nen të saj me marrëveshjen e nënshkruar, prandaj është problem që të korrigjohet me një dokument (statuti) që është derivat i një marrëveshjeje antikushtetuese”.

“Ne vlerësojmë se përpara se të shkruhet statuti, duhet të rishikohet marrëveshja, që ajo të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe më pastaj statuti të [përpilohet në përputhje me marrëveshjen”, ka thënë Nitaj.

Edhe partia tjetër opozitare Nisma për Kosovën ka kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga dy marrëveshjet e bëra për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi dhe të jep dorëheqje.

“Besoje që qëndrimi i Nismës është i qartë lidhur me marrëveshjet që kjo Qeveri  i ka nënshkruar dhe qëndrojmë atu, që përderisa  s’ka tërheqje të kësaj qeverie nga këto marrëveshje dhe dorëheqje të kësaj qeverie atëherë Nisma qëndron në qëndrimet e veta”, ka thënë Valdete Bajrami, shefe e grupit parlamentar të Nismës, për lajmi.net.

Ndryshe, marrëveshjet për Asociacion dhe ajo për Demarkacion e kufirit me Malin e Zi, kundërshtohen nga partitë opozitare. Në kundërshtim të tyre janë organizuar shumë protesta, e po ashtu edhe pengim të punës së Kuvendit.

Për Asociacionin ish-presidentja Atifete Jahjaga i ishte drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, e cila në vendimin e saj, kishte vlerësuar se 23 nene të kësaj marrëveshje kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën. / lajmi.net/

Exit mobile version