Telegrafi

Opozita nuk përkrah pozitën në Komisionin për Bujqësi

Pozita dhe opozita nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët përveç në seanca, as në komisionet parlamentare.

Bojkoti i punës së pozitës nga partitë opozitare ka vazhduar edhe në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja.

Derisa anëtarja e këtij Komisioni, Ganimete Musliu, propozoi që të formohet një Grup Punues për hartimin e rekomandimeve për projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, dy deputetë nga opozita, deputetja Besa Gaxherri Salih Zyba kundërshtuan të bëhen pjesë e këtij Grupi si dhe të votojnë për këtë Projektligj.

Kjo për shkak të çështjeve politike të ndodhura së fundit për mos thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për rezolutën, dialogu me Serbinë.

Deputetja Musliu ka kërkuar të formohet një Grup Punues, i cili do ta analizoj nen për nen Projektligjin në fjalë dhe pastaj të procedohet në seancë parlamentare.

Kurse deputetja Gaxherri ka thënë se ky Projektligj është i domosdoshëm sepse viteve të fundit vendi është përballur me ndotje të madhe të ajrit, mirëpo ajo refuzoi të bëhen pjesë e Grupit Punues dhe të marrë pjesë në votim.

Deputeti Salihu kërkoi mirëkuptim nga dy partitë opozitare që të bëhen pjesë e Grupit Punues.

Komisioni me gjashtë vota pro votoi deputetin Salihu kryesues të Grupit Punues, për anëtarë u votuan Ganimete Musliu, Muharrem Nitaj, Danush Ademi. Komisioni mori gjashtë vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Anëtarët e tjerë nga LDK dhe VV nuk morën pjesë në votim.

Ndërsa, përfaqësuesja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Nezafete Hakaj, tha se Projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja ka për qëllim që çdo qytetar të jetojë me mjedis dhe ajër të pastër, dhe se ky Projektligj është në harmoni me normat dhe direktivat e BE-së.

Komisioni ka shqyrtuar edhe Planin e punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2018, mirëpo edhe për këtë pikë pati kundërshti nga partitë opozitare. /KP /Telegrafi/