Edhe një seancë tjetër e Kuvendit do të mbahet pa opozitën. Vetëvendosje, AAK-ja e Nisma nuk do të marrin pjesë në seancën e së enjtes, që në rend dite do të ketë 10 pika, raporton KTV.
Në Vetëvendosje kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë, por nuk kanë dashur të flasin më shumë për këtë çështje.
As Nisma për Kosovën nuk do të jetë në seancën e së enjtes e ky vendim për mospjesëmarrje do të vlejë deri në një vendim të ri të partisë, ka thënë për KTV-në Bilall Sherifi i Nismës.
Por, për AAK-në, çështja e pjesëmarrjes ose jo në seanca është punë e kryer, prej ditës kur lideri Ramush Haradinaj ka thënë se partia e tij nuk do të marrë pjesë më në seanca për këtë mandat.
Sipas rregullores së Kuvendit, deputetët vetëm 6 muaj mund të mungojnë në seanca plenare, më pas iu humb mandati i tyre. Për këtë, deputetët e AAK-së nuk kanë frikë dhe thonë se e kanë një arsye.