Qytetarë të shumtë janë mbledhur para kryeministrisë në Shqipëri në protestën e thirrur nga opozita kundër Qeverisë së kryeministrit, Edi Rama.
Protestuesit nga Tirana dhe rrethet e tjera u grumbulluan fillimisht para selive të Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL) të PD-së, për të marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.
Protestuesit mbajnë në duar flamuj të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe pankarta të ndryshme si: “Rama është brand…në korrupsion”.
Në ndërtesën e Qeverisë janë marrë disa masa. Dyert e saj janë veshur me materiale të forta, ndërsa rreth ndërtesës janë përqendruar një numër i madh forcash të policisë, por edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që mund të ndërhyjnë nëse do të jetë e nevojshme. Nuk mungojnë edhe automjetet ujëhedhëse.
Në gatishmëri për të mbikëqyrur situatën janë rreth 1.000 forca policore.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, një ditë më parë tha se policia nuk duhet të bëhet “mercenare e Edi Ramës”.
“Protestuesit janë fuqia absolute morale e vendit. Mjerë ai që i prek. Protesta do të zgjasë sa të dojë populli shqiptar. Ai është [më 12 nëntor] sovrani i Shqipërisë”, tha Berisha.
Ndërkaq kreu i PL-së, Ilir Meta, ka bërë thirrje për një protestë të qetë.
Ambasada e SHBA në Tiranë u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë të shmangin lëvizjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi ka paralajmëruar se mund të ketë akte dhune.
Prej orës 15:00 është bllokuar qarkullimi i automjeteve në akset kryesore, si: bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II” e të tjera.
Në fletushkat që u janë shpërndarë qytetarëve janë listuar dhjetë arsyet pse duhet të jenë në shesh kundër Qeverisë Rama. Sipas PD-së, kushtet ekonomike janë ndër më të rëndat në rajon, emigracioni është i lartë, korrupsioni në nivele alarmante, ndërsa nismën rajonale, Ballkani i Hapur, e cilëson projekt serbo-rus dhe anti-shqiptar. Nga ana tjetër janë renditur dhjetë masat që PD-ja parashikon të ndërmarrë në një paketë anti-krizë.
Gjatë protestës së 12 nëntorit, pritet të mbahen rreth 20 fjalime. Të fundit që do t’iu drejtohen protestuesve janë krerët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta. /rel/