Enver Hoti nga Nisma për Kosovën ka folur në “Interaktiv” të KTV-së për hapat e mëtutjeshëm të opozitës në kundërshtim të zgjedhjes së presidentit Hashim Thaçi dhe rrëzimit të Qeverisë.
Ai ka thënë se janë në përgatitje për dërgimin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president, në Gjykatën Kushtetuese dhe se po përgatitin protestë, transmeton Koha.net. Por, Hoti ka thënë se Thaçit president do t’i bëjë problem edhe demarkacioni me Malin e Zi, siç tha ai, kur të konstatohet se nuk është në rregull.
“Ekspertët tanë i kanë disa elemente që i kanë gjetur dhe do ta dërgojmë si opozitë të bashkuar në Kushtetuese”, tha Hoti, duke vënë dyshim se a do ta përdorin më gazin lotsjellës në Kuvend.
Kur ai ka folur për gaz lotsjellës ka thënë se e ka kryer “punën” e vet dhe se nuk e kanë përdorur me dëshirë brenda Kuvendit.