Koalicioni opozitar ka nënshkruar një memorandum për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kërkesa e tyre e patejkalueshme ishte votimi dhe numërimi elektronik.
Memorandumi është nënshkruar pas një mbledhje të së hënës, ku i pranishëm ka qënë dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Ndërkohë, pak momente pas nënshkrimit të marrëveshjes, Partia Demokratike (PD) ka dalë me një njoftim për mediat.
“Opozita konsolidoi sot qëndrimin e saj për zgjedhjet. Me anë të një memorandumi të nënshkruar nga partitë e koalicionit opozitar u theksua se votimi dhe numërimi elektronik është një kusht thelbësor për garantimin e votës së lirë e të ndershme. Memorandumi pritet të nënshkruhet edhe nga parti të tjera jashtë koalicionit opozitar”, thuhet në reagimin e PD-së për media.
Kjo mbledhje vjen para seancës së parë të këtij legjislacioni, ku më herët PD është shprehur se do të radikalizojë qëndrimin e saj për sa kohë që nuk do të plotësohet kjo kërkesë.
Demokratët do të qëndrojnë fare pak të hënën në nisjen e sesionit parlamentar, aq sa kryetari i grupit Edi Paloka të zyrtarizojë qëndrimin e opozitës. Ky qëndrim i kushtëzuar pritet të konfirmohet në mbledhjen e grupit parlamentar dhe më pas të kryesisë së Partisë Demokratike. /Telegrafi/