Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra propozoi një mocion që si pikë e parë e rendit të ditës të diskutohet për tri arratisjet e fundit nga burgjet e shtetit. Përfaqësues të grupeve parlamentare të LDK-së dhe AAK-së, mbështetën kërkesën e deputetes Deliu-Kodra.
Mirëpo, ky mocion nuk mori mbështetjen e deputetëve të Vetëvendosje. Për këtë çështje të ngritur nga PDK-ja, ka abstenuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Deputetja Deliu tha se dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë dhe prandaj tha se kërkojnë që kjo çështje të diskutohet si pikë e parë e rendit. Pro këtij mocioni ishin 26 vota, kundër 53 dhe abstenime dy.
Pasi nuk kaloi ky mocion, deputetët e partive opozitare lëshuan sallën e Kuvendit.
“Nuk mund të jemi indiferent që brenda tre muajve janë arratisur tre persona të cilët kanë qenë të dënuar për vrasje. I dënuari i fundit, i cili është arratisur është Marko Roshiq, i cili ishte një ndër katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq. Ndërkohë që javën e kaluar Faton Hajrizi i dënuar me 27 vjet burg për vrasjen e një ushtari rus, u arratis nga Dhoma e burgut përmes dritares. Gjatë muajit maj u arratis edhe Enver Sekiraqa i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për nxitjen e vrasjes së ish-policit Triumf Riza.
Deri më tani asnjë përgjegjësi ligjore e morale nga personat zyrtarë që udhëheqin institucionet kompetente të sigurisë. Ky dështim në të njëjtën kohë paraqet edhe degradimin e plotë të këtyre institucioneve, për gjendjen Kuvendi I Kosovës nuk mund të qëndrojë indiferent. Prandaj, propozoj që si pikë e parë e rendit të ditës të trajtohet çështja për arratisjen e tre personave të cilët janë të dënuar për vrasje”, theksoi Deliu – Kodra. /kp/