Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë lëshuar sallën ku po mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, pasi nuk kaluan propozimet e tyre që të heqin nga rendi i ditës dhe të kthehen në komisione tri projektligjet e kontestuara nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e mediave.
Bëhet fjalë për projektligjin për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe atë për Këshillin Prokurorial.
Bashkimi Evropian ka shprehur zhgënjimin për tre projektligje që janë planifikuar për leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës të enjten, duke deklaruar se draftet nuk kanë përfshirë rekomandimet që synojnë përputhjen e tyre me standardet evropiane dhe praktikat më të mira, shkruan KP.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar kundër propozimit të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj për heqjen nga pika e rendit të ditës të projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili theksoi se është kundër rekomandimeve të Bashkimit Evropian.
Pas këtij votimi kundër të 50 deputetëve, Selmanaj tha se LDK e sheh të paarsyeshme që të jetë pjesë e një seance ku votohet kundër rrugës integruese të Kosovës në BE.
“LDK e sheh të panevojshme që të jetë e kësaj katrahure për vendin që dikush voton kundër standardeve të BE-së”, tha ai.