Telegrafi

Opozita kundër komisionit për Demarkacionin

Opozita e bashkuar ka reaguar ndaj vendimit për krijimin e komisionit për demakracionin.

Ajo, përmes një kumtese, thotë se ka marrë vesh nga mjetet e informimit se presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka themeluar një komision ad hoc të ekspertëve ndërkombëtarë, që do të vlerësojnë procesin e demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

“Në këto rrethana rikujtojmë edhe njëherë se Peticioni i qytetarëve me 205 mijë nënshkrime, ekspertët e fushës dhe subjektet opozitare kanë kërkuar anulimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit më Malin e Zi të nënshkruar nga Hashim Thaçi në 26 mars në Vjenë. Ende Qeveria e Kosovës nuk është tërhequr nga pozicioni i cili është përgatitur në Komisionin qeveritar të drejtuar nga Murat Meha”, thotë kumtesa.

Kumtesa vazhdon me konstatimin se profesionistët e gjeodezisë, topografisë, gjeografisë, historisë, drejtës ndërkombëtare dhe ushtrisë që gjithë jetën e tyre profesionale ia kanë kushtuar këtyre çështjeve.

“Ata njohin me detaje çdo hartë dhe historik të kufijve të Kosovës dhe kronologjinë e vendosjes së tyre. Nuk do të kishim asgjë kundër që të krijohej një komision i përzier për Demarkacionin, por injorimi i ekspertëve vendorë na duket i paarsyeshëm”, vazhdon reagimi. “Pos kësaj Presidentja duhet të tregojë se në cilin nen të Kushtetutës e ka mbështetur krijimin e këtij Komisioni. Ka mundësi që krijimi i një Komisioni të tillë, të rezultojë me shkelje të Kushtetutës”.