Vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Hashim Thaçit në krye të Presidencës pritet të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Opozita është duke shqyrtuar mundësinë e kontestimit legal të zgjedhjes së Thaçit në institucionin i cili kishte rrëzuar dy presidentë, shkruan sot Koha Ditore.
Megjithëse zyrtarisht thonë të jenë ende në fazën e vlerësimit, gazeta merr vesh se opozitarët do të kërkojnë interpretim mbi kuorumin, sipas aktgjykimit në rastin Pacolli, si dhe interpretim për komisionin votues, ku nuk mori pjesë e gjithë opozita.
Por, sipas interpretimit të juristëve, dy kërkesat minimale të Kushtetutës dhe të Gjykatës Kushtetuese janë plotësuar në seancën e së premtes. E para, që në tri raundet e votimet të marrin pjesë dy të tretat e të gjithë deputetëve, dhe, e dyta, që dy kandidatë të jenë në garë.
Megjithatë, Vigan Qorrolli ka thënë se deputetët mund ta kontestojnë kushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e presidentit në Gjykatën Kushtetuese si për përmbajtjen ashtu edhe për procedurën e ndjekur.