Telegrafi

Opozita konsideron se Qeveria po ndërhyn në punën e Këshillit Prokurorial duke ia ulur buxhetin

Ulja e buxhetit të Këshillit Prokurorial në Projektligjin, i cili pritet të votohen në Kuvend, nga opozita po konsiderohet ndërhyrje nga ana e Qeverisë.

Besnik Tahiri, deputet i AAK-së ka thënë se zvogëlimi i buxhetit për KPK-në tregon se drejtësia nuk është prioritet.

“Drejtpërdrejt është ndikim politik. Zvogëlimi i buxhetit nënkupton zvogëlimin e mjeteve të punës për prokurorët dhe për prokurorinë në përgjithësi”, ka deklaruar Tahiri.

“Pra me thanë pak ma troç, në reformën e drejtësisë dhe në sektorin e sundimit te ligjit me cungimin e buxhetit dhe me dhënien e ulët të buxhetit, realisht, nuk është prioritet reforma në drejtësi”, ka shtuar ai.

Kurse, Blerta Deliu deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë shpjegim se pse iu është ulur buxheti KPK-së.

“Po ne do ta diskutojmë buxhetin bashkë më ministren në seancë plenare, nuk kam degju ende një shpjegim ose sqarim ose më mirë të them qartësim të ministrisë së Drejtësisë se cilat kanë qenë arsyet për ulje të buxhetit mbi një milion euro për Këshillin Prokurorial”, ka thënë Deliu duke thënë se do të diskutojnë mbi arsyeshmerinë e këtij vendimi, raporton Betimi për Drejtësi.