Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës në seancën e sotme të Kuvendit ka kërkuar që të lejohet formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë.
Shefi i këtij grupi parlamentar, Abelard Tahiri, para deputetëve ka thënë se tash e dy muaj opozita po mundohet të formojë këtë komision pasi sipas tij, kjo është e drejtë kushtetuese.
“Andaj sot si iniciues i grupit parlamentar për Komisionin Hetimor, kërkojmë mbështetjen edhe të grupeve të tjera parlamentare që të mos vazhdohet me këtë seancë, por të themelojmë Komisionin Hetimor”.
“Ndryshe prezenca jonë këtë seancë pa realizimin e kësaj të drejte nuk ka kurrfarë kuptimi. Po kërkojmë që kjo seancë të mos vazhdojë, ta gjejmë një zgjidhje për themelimin e Komisionit”, është shprehur Tahiri.
Njëjti si Tahiri deklaroi edhe Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili tha se Kuvendi nuk duhet të marrë asnjë vendim tjetër derisa të formohet Komisioni Hetimor.
Ndërsa, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se mbështesin qëndrimin e PDK-së dhe LDK-së për formimin e komisionit, po shtoi se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë edhe në votimin e pikës 3, atë për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Por, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se seanca mund të dështojë vetëm kur nuk ka kuorum, por jo në këtë rast kur deputetët janë të pranishëm në sallë.
“Desha të bëj një sqarim. Kjo seancë është thirrur në mënyrë të rregullt, por është çështje tjetër pozicionimi i opozitës. Ne nuk vendosëm për vazhdim të seancës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, por për seancë të re. Sepse ju nuk ishit aty për të dhënë qëndrimin tuaj. Ne i kemi dy mundësi, të vazhdojmë me këtë seancë apo ta ndërpresim. Por, po më duket e paarsyeshme të ndërpritet sepse konsideroj që mund të dështojë vetëm nëse nuk ka kuorum”, u shpreh Konjufca./Telegrafi/