Site icon Telegrafi

Opozita kërkon shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, kërkohet që të zbatohet vendimi i Apelit

Mbledhja e Bordit të ZRRE-së

Shefat e Grupeve Parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë kërkuar shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas shefit të deputetëve të LDK-së, Arben Gashi kjo parti do të shqyrtoj mundësinë e marrjes së nismave për shkarkimin e këtij Bordi.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të shqyrtoj mundësinë e marrjes së nismave për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), për shkak të mungesës së paaftësisë për menaxhimin e krizës energjetike dhe për shkak të shkeljes së mirëbesimit të dhënë nga Kuvendi i Kosovës”, tha Gashi.

Ai ka theksuar se vendi po shkon drejt një krize të thellë energjetike.

“Po shkojmë drejt një krize ende më të thellë energjetike, shohim se ky institucion është i paaftë të kryen detyrat dhe funksionet që obligon Ligji për Energjinë Elektrike dhe të Zyrës së Rregullatorit. Po presim që Komisioni funksional të marr vendim që të rekomandon shkarkimin e Bordit të ZRRE-së. Nuk është vetëm problem i caktimit të tarifave por edhe i ambasadorit [Martin] Berishaj, problemi se si bëhet tregtimi me thëngjill dhe mënyrën se si bëhet tregtimi me energjinë”, ka theksuar ai.

Lexo po ashtu Anulimi i vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës – të gjitha reagimet rreth aktvendimit të Gjykatës së Apelit

Ndërsa, sipas shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ZRRE-ja duhet ta zbatoj vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Ajo që është shqetësuese se lexojmë lajme se KESCO ka paqartësi nga ZRRE-ja për tarifat e energjisë elektrike të Kosovës pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Mendoj se këtu ZRRE-ja duhet ta ndal çfarëdo tendence që ka që të mos respektohet ky vendim. Ata kanë thënë vetë se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës së Apelit, por siç duket nuk ka dhënë qartësi te KESCO”, tha Tahiri.

Ai thotë se me vendimin e Apelit është pezulluar tarifimi i shtrenjtë.

“Vendimi i gjykatës është shumë i qartë dhe duhet të respektohet. Pra, është pezulluar tarifimi i shtrenjtë. Ne e kemi dokumentuar se edhe gjatë këtyre muajve, duke filluar nga shkurti, marsi, prilli e tash maji, vendi ynë ka prodhuar energji të mjaftueshme për konsumin edhe kur ka qenë ftohtë e kemi pas shpenzim të lartë. Importi në vendin tonë ka qenë shumë i vogël. Kjo rritje është e paarsyeshme, sepse importi është shumë i vogël. Ne kemi eksportuar dhjetëfishin e asaj që kemi importuar. Prandaj, i bëjë thirrje ZRRE-së që të mos krijoj paqartësi e konfuzion, të respektohet në plotni vendimi i Gjykatës Themelore që vendi ynë të tarifohet me tarifat e lira të energjisë”, ka përfunduar ai.

Lexo po ashtu Gjykata e Apelit vërteton vendimin e Themelores për pezullimin e vendimit të ZRRE-së lidhur me shtrenjtimin e rrymës

Ditë më parë, Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga ZRRE-ja.

Apeli thotë se ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit.

ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj. /Telegrafi/

Exit mobile version