Site icon Telegrafi

Opozita kërkon shkarkimin e Artan Grubit: Financon dhjetëra portale me para të qytetarëve

Lidhja Evropiane për Ndryshim akuzon Artan Grubin se me paratë e qytetarëve financon dhjetëra portale, përmes të cilave ushtron presion ndaj gjykatësve, prokurorëve dhe oponentëve të tij politik. Opozita shqiptare kërkon shkarkimin e tij nga posti i zëvendëskryeministrit të parë dhe të ministrit për Sistem Politik.

LEN thekson se portalet janë të regjistruar në emër të personave të afërt me BDI-në dhe Grubin, ndërsa hapësirat e ministrisë së tij, nuk janë në shërbim të qytetarëve, por shërbejnë si zyre për qendrën mediatike të Grubit.

“Në vend që ministrinë ta shfrytëzojë në interes të qytetarëve, ai atë e ka shndërruar në kazan propagandistik për të sulmuar me shpifje oponentët politikë, por duke mos kursyer as edhe prokurorët dhe gjykatësit, siç ishte rasti i fundit me sulmet e organizuara mediatike ndaj kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi”.

“Kërkojmë nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, që urgjentisht të shkarkojë Artan Grubin. Nëse kryeministri hesht, nënkuptohet se bashkëvepron me Artan Grubin dhe Ali Ahmetin”, deklaroi Albi Qamili, përfaqësues i Lidhjes Europiane për Ndryshim.

Exit mobile version