Site icon Telegrafi

Opozita kërkon rishikim të buxhetit, ekspertët rialokim të mjeteve

Opozita po kërkon rishikim të buxhetit, duke akuzuar Qeverinë për shkelje të shumta në ndarjet buxhetore. Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje thotë se një gjë e tillë nuk është e nevojshme aktualisht. Ndërsa, njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se aktualisht nevojitet rialokim i mjeteve dhe jo rishikim i buxhetit.

Kriza ekonomike e niveli i lartë i inflacionit në vend ka bërë që Qeveria të jetë në qendër të kritikave të opozitës për mosveprim.

Ndër to është edhe mënyra e menaxhimit të buxhetit.

Si rrjedhojë, Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Ekzekutivi për punojë për rishikimin e dytë të buxhetit të sivjetmë.


Ferat Shala nga Komisioni për Buxhet, PDK

“Do të duhej të kryhej qysh në qershor, ndoshta për shkak të krizës energjetike, pandemisë dhe situatave tjera, edhe më herët, por tash edhe pse është vonë do të duhej që të implementohet Ligji i Buxhetit, qoftë ai që është në fuqi, qoftë rishikimi. Rishikimi do të bënte përmirësimet eventuale për aq hapësirë kohore sa ka mbetur në këtë vit kalendarik”, ka thënë Ferat Shala nga Komisioni për Buxhet.

Mirëpo, vlerësim tjetër ka partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Enver Haliti, anëtar i kësaj partie në komisionin parlamentar për Buxhet, nuk e sheh të arsyeshme rishikimin e buxhetit në këtë periudhë, përveç nëse paraqitet ndonjë kërkesë e jashtëzakonshme.


Enver Haliti, Komisioni për Buxhet, LVV

“Ekziston mundësia që të ketë edhe një rishikim të dytë, mirëpo duhet pasur parasysh gjithashtu që jemi në proces të dëgjimeve buxhetore ku Ministria e Financave ka filluar dëgjimet buxhetore për përgatitjen e buxhetit të ri për vitin 2023 dhe besoj që të gjitha kërkesat do të adresohen në buxhetin e vitit 2023”, ka theksuar Haliti.

Ministria e Financave nuk ka treguar nëse planifikon rishikim të buxhetit në këtë kohë.

Mirëpo, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu thotë se aktualisht vendi nuk ka nevojë për rishikim të buxhetit, por vetëm për rialokim të mjeteve.


Safet Gërxhaliu, njohës i çështjeve ekonomike

“Vet fakti që nuk ke pasur projekte kapitale të cilat e kanë dëmtuar edhe biznesin por edhe qytetarin, është krijuar një tepricë dhe kjo tepricë në kohë të inflacionit përjeton devalvim është shqetësimi më i madh. Por jemi tani në fund të shtatorit ku për 1 muaj fillojnë dëgjimet buxhetore për vitin 2023, prandaj duhet të mendohet më tepër nga tetori për rialokime sesa për rishikim”, është shprehur Gërxhaliu.

Buxheti është rishikuar një herë në pjesën e parë të këtij viti, të cilit pas rritjes së të hyrave i janë shtuar 150 milionë. /Dukagjini/

Exit mobile version