Telegrafi

Opozita: Homazh, heshtje dhe lule për viktimat

Tërë kortezhi do të lëvizë nga krahu i djathtë i bulevardit drejt kryeministrisë dhe te cepi i Kuvendit do të kthehet në vend. Pas vendosjes së luleve, kortezhi do të kthehet mbrapsht, për t’u shpërndarë pastaj në unazë. E gjithë kjo, në heshtje të plotë.

“I ftojmë nesër të gjithë qytetarët, në orën 14:00 t’i bashkohen homazhit tonë për tre shqiptarët e thjeshtë që u vranë të premten e zezë në 21 janar. Heshtja, lulet dhe qirinjtë do të jenë mjetet tona të demonstrimit. Asnjë parrullë, asnjë thirrje, asnjë devijim nga kortezhi nuk duhet të ndodhë”, sqaroi Baraj, njofton TCH. Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që do të marrin pjesë në kortezh që të mos bien pre e provokimeve, si dhe policisë që të kryejë detyrën e saj duke u bazuar tek ligji.

“Iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të ruhen nga provokimet dhe provokatorët dhe të mos shkojnë pas askujt që mund të dalë jashtë kornizës së kortezhit apo të bëjnë gjë tjetër veç ecjes së heshtur. I bëjmë po ashtu thirrje policisë të bëjë detyrën konform ligjit dhe ne do të jemi aty për të garantuar gjithçka. Nesër bota duhet të shohë rezistencën tonë paqësore dhe të dëgjojë dhimbjen e popullit shqiptar që me dinjitet dhe papërkulshmëri kërkon lirinë dhe drejtësinë e merituar”. /Telegrafi/