Opozita konservatore e Gjermanisë do të anulojë ligjin e ri që legalizon kanabisin për përdorim nëse e fiton pushtetin, tha një zëdhënës i lartë gjerman.
“Sipas këndvështrimit tonë, politika e drogës, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e të rinjve, është një çështje e një rëndësie kaq qendrore sa që ne do të anulojmë legalizimin e kanabisit në rast se marrim pushtetin”, tha ligjvënësi Thorsten Frei.
Ndryshe, legjislacioni që e lejon përdorimin dhe kultivimin e kanabisit për përdorim personal u miratua nga parlamenti gjerman më shumë se një javë më parë.
Ky ligj do ua lejojë qytetarëve kultivimin e tre bimëve në shtëpi dhe posedimin e 50 gramëve kanabis për përdorim personal, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Por, sipas Frei, legalizimi i tij nuk do të zgjidhë asnjë problem.
“Është një iluzion që ligji që lejon kultivimin për përdorim personal do të shkatërrojë tregun e zi”, tha Frei.
Gjithashtu, ai e parashikoi se tregu i paligjshëm i kanabisit do të vazhdojë edhe pas legalizimit, duke theksuar se tregtarët e drogës tani më nuk do të kenë frikë nga ndjekja penale.
Bëhet e ditur se nga data 1 prill në Gjermani do të lejohet konsumimi i kanabisit, për sa kohë që pirësi është mbi 100 metra larg nga ambiente si shkolla. /Telegrafi/