rupi kryesor i opozitës në Siri thotë se do të marrë pjesë në bisedimet për paqe më 14 mars, disa orë pasi Rusia dhe qeveria e Sirisë njoftuan se planifikojnë të jenë pjesëmarrëse në këto bisedime.
Komiteti i Lartë i Negociatave, i përbërë nga pjesa më e madhe e grupeve opozitare siriane, është pajtuar mbrëmë që të marrë pjesë në bisedimet e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë dhe tha se do të fokusohet në krijimin e “trupit qeverisës tranzitor me autoritet të plotë ekzekutiv”.
Ky grup vazhdon të insistoj se presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, “nuk do të ketë vend” në qeverinë e ardhshme, derisa Rusia, Irani dhe mbështetësit e tjerë të regjimit të Sirisë, thonë se fati i tij duhet të vendoset në zgjedhje.
Kthimi në bisedimet paqësore u bë i mundshëm nga ndalja e armiqësive e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, para dy javësh, që në masë të madhe është respektuar.
Departamenti amerikan i shtetit tha se marrëveshja “ka prodhuar reduktim dramatik të dhunës”, por ka tërhequr vërejtjen se regjimi ende po ndërmerr sulme.
Raportohet se nga sulmet e qeverisë janë vrarë 7 civilë në Alepo, ndërsa Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, vlerësoi se sulmet “ishin shkelja më serioze në qytet prej se marrëveshja ka hyrë në fuqi”.