Site icon Telegrafi

Opozita e përfundon rezolutën për të “ndalur Hashim Thaçin”, nesër procedohet në Kryesi

Rezoluta e opozitës së bashkuar, që ka për qëllim t’ia ndalojë presidentit Hashim Thaçi negocimin e territorit të Kosovës në Bruksel, tashmë është vënë në letër.

Rezoluta pritet që nesër të dorëzohet në Kryesinë e Kuvendit, e cila më pas do të thërras seancën e jashtëzakonshme, e cila mendohet të mbahet para datës 7 shtator, e që është dita e takimit Thaçi – Vuçiq.

Lajmin ia ka konfirmuar Gazetës Blic, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

“Aktualisht jemi dakorduar me PSD-në dhe VV-në, që ta kemi vetëm një pikë – atë të rezolutës që mos të preket territori. Pra, në seancën e jashtëzakonshme do të ketë vetëm një pikë të rendit të ditës, ajo do të jetë rezoluta që ia ndalon Thaçit që të dialogojë për territorin e Kosovës. Teksti është i shkruar, nënshkrimet janë mbledh. Nesër pritet që të procedohet në kryesinë e Kuvendit, dhe pastaj të caktohet data kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme”, ka thënë Selmanaj.

Ai ka thënë se në bazë të deklarimeve të zyrtarëve të AAK-së dhe vet kryeministrit, presin që të kenë në këtë seancë edhe votat e kësaj partie.

“Po jemi dakordu edhe me Vetëvendosjen edhe me PSD-në. Tani jemi në kontakt edhe me Nismën. Nuk përjashtohet mundësia që edhe me AAK-në me pas dekordancë, për shkak se deklarimet publike të tyre janë pro kësaj rezolutës“.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot pas mbledhjes së Qeverisë ka deklaruar se nëse rezoluta e opozitës e ka pikë vetëm mos prekjen e territorit të Kosovës, atëherë pro saj do të votojë edhe ai.

Këtë rezolutë dhe thirrjen për seancë nga opozita, e ka kundërshtuar fuqishëm kryetari i PDK-së, njëherë kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ai ka thënë se kjo thirrje është absurde, dhe se opozita më thashetheme po nxit tensione.

Takimi i radhës mes presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq është paralajmëruar me 7 shtator.

Exit mobile version