Telegrafi

Opozita e pakënaqur me përmbajtjen e projekt-buxhetit për vitin 2025 të Komunës së Prizrenit

Përmbajtja aktuale e projekt buxhetit për vitin 2025 e Komunës së Prizrenit ka shkaktuar mospajtime ndërmjet kuvendarëve opozitarë dhe zyrtarëve të lartë komunal.

Opozitarët konsiderojnë se në planifikimin buxhetor nuk parashihet zhvillimi i mirëfilltë i komunës dhe se ka pak projekte të reja e injorim të kërkesave të kuvendarëve, raporton Telegrafi.

Në anën tjetër pushtetarët sqarojnë se kërkesat dhe nevojat e komunitetit janë më të mëdha se mundësitë buxhetore dhe sipas tyre projekt-buxheti i vitit të ardhshëm është gjithëpërfshirës dhe i bazuar në prioritete.

Karanfil Haxhillari nga Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se në këtë planifikim buxhetor nuk ka projekte për zhvillim ekonomik lokal.

“Ky buxhet definitivisht është ndoshta i më i keqi i mundshëm që i tejkalon pritjet dhe nuk ka parasysh që 70 milionë euro të taskapaguesve së bashku me grantin  qeverisës të shkoj në këtë mënyrë. Ky buxhet paraprakisht as nuk ka një bazë gjeneruese për të ardhur te ky buxhet.  Pra për të ardhur te ky buxhet duhet ta kemi parasysh një zhvillim ekonomik, që nuk merret parasysh asnjë projekt i zhvillimit ekonomik të Komunës së Prizrenit për të ardhur deri te ky buxhet”.

Sipas tij, janë injoruar kërkesat e kuvendarëve të Prizrenit.

“Po ashtu nëse i vërejmë edhe të gjitha kërkesat e kuvendarëve që realisht janë edhe  përfaqësues të qytetarëve në këtë Kuvend, dhe i shohim procesverbalet me radhë, për një vit të tërë asnjë kërkesë e kuvendarëve nuk është futur në buxhet”.

Ai ka shtuar se aty nuk figurojnë as projektet e premtuara nga kryetari Shaqir Totaj.

“Ky buxhet, së paku unë kam pritur, që në këtë buxhet të jenë premtimet elektorale të kryetarit në saje të cilave ka ardhur në pushtet, dhe në këtë buxhet nuk gjendet as edhe një. Së paku të fillohet me ndonjërin prej premtimeve të mëdha elektorale”.

Në anën tjetër kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Antigona Berisha Bytyqi ka pohuar se qëndrimet politike të opozitës nuk përkojnë me realitetin buxhetor, raporton Telegrafi.

“Ne në takimet e shumta edhe me qytetarët, edhe me anëtarët e Kuvendit, edhe kryetari, edhe gjithë të tjerët, drejtori i Financave, e kemi diskutuar dhe e dimë, edhe anëtarët e Kuvendit janë të vetëdijshëm që kërkesat janë shumë të mëdha se sa mundësitë buxhetore”.

“Për këtë arsye nuk ka pas mundësi që të futen kërkesat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit dhe jo vetëm të anëtarëve nga opozita, por kemi edhe kërkesa që nuk janë futur në buxhet dhe nuk mund të realizohen vetëm për shkak të mundësive buxhetore, dhe në asnjë mënyrë nuk pajtohem që kjo ndodh për shkak të injorancës, apo anashkalimit të anëtarëve të opozitës. Përkundrazi është munduar të bëhet një gjithëpërfshirje për të gjithë anëtarët e Kuvendit qoftë nga pozita, qoftë nga opozita”.

Komiteti për Politikë e Financa me shumicë votash ka rekomanduar që të enjten, me 12 shtator, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës të shqyrtohet projekt buxheti për vitin 2025. /Telegrafi/