Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci sot ka vizituar kazermën e FSK-së, “Adem Jashari”, në të cilën e kreu dhe një vakt të ushqimit.
Sipas disa fotografive të siguruara nga Telegrafi, ministri Maqedonci shërbehet me ushqim të bollshëm në këtë kazermë, shujtë e cila është e dedikuar për ushtarët e FSK-së.
Ndërkaq, sot deputetët e opozitës pa pjesëmarrjen e atyre të pozitës janë duke mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen e ushqimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj përmes foltores së Kuvendit të Kosovës ka thënë se Kurti është mashtrues dhe ka arritur që ta lerë ushtrinë e Kosovës pa bukë.
Ndërsa, ish-ministri i Mbrojtjes, njëherit deputeti i LDK-së, Anton Quni ka thënë se është shqetësim thelbësor situata në FSK, e cila prek shëndetin dhe mirëqenien e ushtarëve tanë.
Edhe deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se asnjëherë nuk do të donte të fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës për Forcën e Sigurisë së Kosovës për problemet me të cilat ditëve të fundit po përballen, atë të karakterit logjistik.
Ndërkaq, ministria e Mbrojtjes përmes një reagimi kanë bërë të ditur se: “Me pranimin e personelit prej 106 personash kjo problematik do t’i përkas së kaluarës”. /Telegrafi/