Mbledhja e Komisionit për Arsim ka dështuar shkaku i mungesës së kuorumit. Në këtë mbledhje ishte paraparë që të diskutohet lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishin vetëm katër deputetët nga ana e opozitës. Ismajl Kurteshi, kryetar i këtij komisioni ka thënë se mbledhja shtyhet për të hënën në orën 13:00.
Ai ka shtuar se për këtë çështje do ta ftojë edhe ministrin e Arsimit.
“Sot kemi ftuar këtë mbledhje më të vetmen pikë të rendit të punës vendimin e fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë e cila ka zgjuar reagime. Ne e kemi të pamundur ta mbajmë këtë mbledhje të komisioni pasi që mungojnë gjysma e anëtarëve”, ka thënë Kurteshi.
Ai ka shtuar se mendon që KShC është institucion i pavarur dhe profesional që ka të drejtë të marrë vendime bazuar në legjislacionin në fuqi.
” KShC do të duhej që raportet e eksperteve t’i bëjë publike për opinionin. Mendoj se ndërhyrjet apo deklaratat politike si ajo e kryeministrit dhe ministrit, janë të pavend dhe janë të dëmshme, për arsye se e dëmtojnë procesin. Nëse dikush ka argumente se KShC ka vepruar njëanshëm vendimet duhet t’i kontestojë në gjykatë”, u shpreh Kurteshi, transmeton Telegrafi.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi theksoi se Këshilli Shtetëror i Cilësisë është votuar nga Kuvendi dhe se besojnë në kualitetin dhe punën e tyre.
Ajo ka shtuar se ndërhyrja e kryeministrit dhe ministrit nuk kanë qenë dashur të ndodhin.
“Politika nuk duhet të ndërhyjë në arsim. Me këtë ndërhyrje kryeministri dhe ministri e kanë bërë të pamundur punën e KShC. Ne si LDK duam që të gjithë të kryejnë punën e vet për çka janë thirrur, ne nuk anojmë nga asnjëra palë”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.
Edhe deputetja nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci theksoi se ndikimet politike në punën e Agjensionit, dëmtojnë procesin, transmeton Telegrafi.
“Ndikimet e tilla politike në punën e pavarur të Agjensionit do të dëmtojnë shumë procesin dhe kjo mund të ketë pasoja për studentët tanë të cilët pretendojnë t’i kryejnë studimet në vendet e BE-së”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka shtuar se kryeministri duhet të sqarojë deklaratat e tij ku thotë se anëtarët e Agjensionit janë mafioz.
Driton Çaushi nga PSD tha se është për keqardhje që në këtë mbledhje munguan anëtarët e tjerë të komisionit.
“Fatkeqësisht përveç deputetëve anëtarëve të komisionit nga opozita nuk patë pjesëmarrës tjerë, dhe kjo është zhgënjyese. Deklarimet politike tashmë kanë dëmtuar punën e këtij agjensioni. Konsiderojmë se ndërhyrja nga ministri i arsimit dhe kryeministri, është brutale”, u shpreh Çaushi. /Telegrafi/