Site icon Telegrafi

Opozita bllokon sërish seancën, bie alibia e mandateve

Prej më shumë se një muaji Partia Demokratike vijon qëndrimin e kushtëzuar ndaj Kuvendit. Këtë gjë bëri edhe sot duke bllokuar foltoren e Kuvendit, edhe pse deputetët e mazhorancës Leskaj dhe Suli u shprehën të gatshëm që mandati i tyre të shkojë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese.

Në nisje të fjalës së tij kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka, u shpreh se mazhoranca duhet të ushtrojë të drejtën e vet kushtetuese, më pas deputetët e opozitës bllokuan foltoren.

“Përveç dekriminalizimit dhe të drejtës së opozitës që përmes funksioneve hetimore të ushtrojë të drejtën e vet kushtetuese, kemi paraqitur edhe dy amendamente që kanë më shumë se 1 muaj që janë dorëzuar në Kuvend dhe nuk janë marrë ende nga Komisionet. Për këto arsye, grupi ynë parlamentar nuk mund të qëndrojë në këtë Parlament si një Parlament normal.

Ndaj ne do të protestojmë dhe do të qëndrojmë në këmbë edhe këtë seancë, deri kur kjo maxhorancë t’i kthejë legjitimitetin këtij Kuvendi”, deklaroi Paloka.
Kërkesat e tyre për dërgimin për shqyrtim të mandatit të Valentina Leskajt dhe Rakip Sulit, demokratët nuk i quajnë kushte për reformën në drejtësi, por detyrim kushtetues për maxhorancën që t’i zbatojë ato.

“Kusht mandatet e dy deputetëve është një mashtrim kokë e këmbë. Ne nuk vëmë kushte të tilla. Kushtet nuk i vëmë ne, i vë Kushtetuta, vendimet e Gjykatës Kushtetues. Ato janë kushtet për ne dhe për këdo tjetër. Ne kërkojmë zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës, jo mandatet”, deklaroi Paloka.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi e quajti “puç për bllokimin e fjalës së lirë në kuvend. Ndërsa kjo e detyroi kryetarin Meta të ndërpresë parlamentin me 5 minuta pushim. /Express/Telegrafi/

Exit mobile version