Është e dyta herë që vetëm në këtë vit Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk po mund të zhvillojë mbledhje normale.
As sot nuk janë kaluar nga asamblistë të opozitës tre pika të rendit të ditës.
“Propozim-vendimi për miratimin – lënie në dispozicion për diskutim publik të Propozim-planit rregullues të hollësishëm të lagjes “Mati 2”; Propozim-vendimi për miratimin e plotësimit dhe ndryshimit të Planit rregullues të lagjes “Sofalia”; Propozim-vendimi për miratimin – lënie në dispozicion për diskutim publik të Propozim-planit rregullues të hollësishëm të lagjes “Kodra e Trimave 1”, janë tri pika të rendit të ditës që nuk po kalojnë tash e sa kohë.
Grupi Parlamentar i LDK-së dhe PDK-së kanë kërkuar nga kryetari i Komunës së Prishtinës që të largohen këto tri pika dhe të merret një interpretim i ministrisë së Mjedisit.
Asamblistët opozitar kanë kërkuar po ashtu raportin financiar dhe raportin e auditorit.
E kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se nuk po kupton se përse po bllokohen këto pika të rendit të ditës dhe plani rregullativ, madje ai ka lutur shefat e grupeve parlamentarë qe të votojnë të paktën për interesin e qytetarëve.
“Po insistoj që këto pika të kalojnë të paktën për interesin e qytetarëve. E sa i përket raportimit unë raportin financiar e kam dërguar në Komunitetin për Financa. Dhe në secilin raportim jam i gatshëm të vij këtu, por edhe ju duhet të diskutoni për planin rregullativ”, tha Ahmeti.
Asamblistët e LDK-së dhe PDK-së kanë kërkuar që gjithashtu që kryetari dhe kryesuesi të sjellin interpretimin e ministrisë së mjedisit ku ky plan rregullativ është i ligjshëm në të kundërtën Sami Hamiti tha se nuk do të marr pjesë në Kuvend. /kp/
Fotografia: ILUSTRIM