Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi nga foltorja e Kuvendit të enjten se nuk mund të vazhdojë seanca plenare kur mungojnë Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, pasi, sipas tij, “llogaridhënia e tyre për të ardhmen europiane është detyrim moral e politik”.
“Seanca nuk duhet të vazhdojë pa Ramën e Xhafajn. Llogaridhënia e tyre për të ardhmen europiane është detyrim moral e politik. Nëse nuk duan të vijnë më në këtë sallë, të largohen sot dhe të çlirojnë Shqipërinë nga aleanca me krimin që është pengesa numër 1 për integrimin europian të vendit”, u shpreh Basha.
Më pas, deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, duke detyruar kreun e tij Gramoz Ruçi që të ndërpresë seancën. /Tch/Telegrafi/