Site icon Telegrafi

Opozita bjelloruse fiton Çmimin Sakharov

Opozita demokratike bjelloruse është nderuar me Çmimin Sakharov për Liri të Mendimit, që ndahet nga Parlamenti Evropian.

“Është një nder të njoftoj se gratë dhe burrat e opozitës demokratike të Bjellorusisë janë laureatët e Çmimit Sakharov për vitin 2020”, tha presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli para ligjvënësve evropianë.

Ceremonia e ndarjes së këtij çmimi do të mbahet më 16 dhjetor në Parlamentin Evropian, edhe pse ende është e paqartë nëse do të mbahet në ndërtesën e PE-së, për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Çmimi Sakharov do të ndahet për një sërë figurash të opozitës, përfshirë Svyatlana Tsikhanouskaya, Maryya Kalesnikava, Veranika Tsapkala, Volha Kavalkova and Syarhey Dyleuski, laureatin e Çmimit Nobel Svetlana Alexievich, për burrin e Tsikhanouskayas që është i burgosur, Syarhey Tsikhanouski.

Çmimi po ashtu do t’i ndahet edhe themeluesit të kanalit NEXTA në Telegram, Stsyapan Putsila, për Ales Byalyatski nga organizata për të drejtat e njeriut, Vyasna si dhe të burgosurit politik Mikalay Statkevich, i cili ishte kandidat për president më 2010.

Në listën e ngushtë për ta fituar këtë çmim këtë vit ishin edhe një grup aktivistësh të ambientit në Honduras si dhe Najeeb Michaeel, kryepeshkop në qytetin irakian të Mosulit, përcjell rel.

Protestat kundër Alyaksandr Lukashenkës në Bjellorusi po vazhdojnë që prej zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, ku ai thotë se ka fituar.

Në këto protesta, mbi 10 mijë persona janë raportuar se janë arrestuar, disa të vdekur dhe qindra të lënduar.

Lukanshenko është në krye të Bjellorusisë që nga viti 1994. Ai pretendon se ka fituar në zgjedhjet e 9 gushtit, por opozita thotë rezultatet zgjedhore janë manipuluar dhe fituese e zgjedhjeve është kandidatja opozitare, Svyatlana Tsikhanouskaya.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë refuzuar që të pranojnë fitoren e Lukashenkës.

Exit mobile version