Site icon Telegrafi

Opozita “bashkon” votat kundër vazhdimit të misionit të EULEX-it

Ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në përfundimin e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX.

Qeveria e Kosovës javën e kaluar, në mbledhjen e saj të rregullt, vendosi që EULEX-it t’i vazhdohet mandati edhe për dy vjet – deri në vitin 2018. Kryeministri Isa Mustafa kishte arsyetuar këtë vazhdim duke thënë se kanë mbetur edhe shumë lëndë të tjera që ky mision ende nuk i ka përfunduar.

E, për aprovimin e zgjatjes së mandatit të EULEX-it, duhet që vendimi të sillet në Kuvend, për t’u votuar nga ana e deputetëve.

Mirëpo, Kryesia e Kuvendit nuk ka vendosur ende se kur do të mbahet seanca lidhur me këtë, ndonëse është thënë se nesër mund të ketë seancë të jashtëzakonshme.

Dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë shprehur të vendosura për të mos i dhënë votën vazhdimit të mandatit të EULEX-it.

Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka theksuar se AAK nuk do të jetë pjesë e këtij votimi.

“EULEX-i është produkt i situatës që ka krijuar Qeveria dhe institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë. AAK nuk ka qenë as pjesë e konsultave dhe nuk do të jetë as pjesë e votimit”, ka thënë Nitaj për Telegrafin.

Edhe Nisma për Kosovën ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e seancës, kur do të votohet vazhdimi i mandatit të EULEX-it.

“Nisma për Kosovën vazhdon të bojkotojë seancat e Kuvendit, prandaj deputetët tanë nuk do të marrin pjesë në seancë”, ka thënë sekretari organizativ i Nismës, Bilall Sherifi.

Për dallim nga AAK dhe Nisma, subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se do të marrë pjesë në seancën ku pritet miratimi i vazhdimit të mandatit të EULEX-it. Këtë për Telegrafin e konfirmon deputetja nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu.

“Ne si grup parlamentar nuk do të përkrahim vazhdimin e misionit të EULEX-it. Ky mision u instalua kinse për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, mirëpo në fakt zyrtarët e këtij misioni u përfshinë në afera korruptive, në kurriz të qytetarëve të varfër”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, “është dëshmuar ajo që VV ka thënë në vazhdimësi, se ky mision nuk ka pasur për qëllim vënien e drejtësisë, por ruajtjen e stabilitetit”.

“Herë-herë ishte mision shantazhues. Dosjet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë të Kosovës kanë qëndruar ndër tavolinat e zyrtarëve të EULEX-it. Ato janë nxjerrë para miratimit të marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën”, thotë ajo. “Drejtësia nuk vjen nga jashtë. Ndaj, Kosova ka nevojë për ndërtim dhe forcim të institucioneve vendore e jo për misione si ai i UNMIK-ut apo EULEX-it që nuk e njohin shtetin e Kosovës”.

EULEX-i është misioni me i madh i Bashkimit Evropian. Përveç kompetencave të caktuara ekzekutive në fushën e drejtësisë, EULEX-i merret me këshillimin, monitorimin dhe mentorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Ky mision është vendosur në Kosovë në qershor të vitit 2008. Me mandatin e ri, EULEX-i rrumbullakon 10 vjet në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version