Partitë politike opozitare, gjatë kësaj jave, do të takohen për të shqyrtuar mundësinë e inicimit të një mocioni të mosbesimit për Qeverinë aktuale të drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, konfirmojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët u takojnë partive opozitare.
Sipas tyre, vullneti i partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, siç kanë thënë, për ta rrëzuar Qeverinë aktuale, ekziston që moti dhe prej daljes së Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, një gjë e tillë ka qenë e mundur, por nuk kanë dashur ta shfrytëzojnë momentin që përmes këtij subjekti politik, që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, ta rrëzojnë Qeverinë.
Megjithatë, për të pasur sukses një mocion për rrëzimin e Qeverisë, nevojiten 61 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, i kanë gjithsej 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe për suksesin e një mocioni të mosbesimit për Qeverinë, nevojiten edhe 5 vota.
Driton Selmanaj, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, subjekt politik ky më i madh opozitar në Kuvendin e Kosovës, thotë se nisma për një mosbesim për Qeverinë e Kosovës, është e subjektit që ai i takon.
“Fillimisht do të kemi takime gjatë kësaj jave me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Socialdemokrate dhe më pas do të bëjmë thirrje edhe për partitë tjera politike, të cilat kanë interes që të marrin pjesë në mocionin e rrëzimit të Qeverisë, që kjo çështje përmbyllet”, ka thënë Selmanaj.
Ai ka shprehur bindjen që edhe vetë partnerët e koalicionit brenda Qeverisë janë të pakënaqur dhe sipas tij, dallimet e mëdha që janë brenda këtij koalicioni, kanë sjellë situatën ku edhe ata mund të jenë të gatshëm që të marrin pjesë në rrëzimin e Qeverisë.
Selmanaj ka theksuar se sjellja e deputetëve të partive në pushtet në Kuvendin e Kosovës, reflekton mundësinë për të pasur vota përtej partive politike opozitare, në mënyrë që rrëzimi i Qeverisë aktuale të ndodhë shumë shpejtë.
Liburn Aliu, deputet i partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, konfirmon se subjekti politik të cilit i takon ai, do të merr pjesë në takimin e përbashkët të partive opozitare, gjatë kësaj jave. Por, se a do të mund të sigurohen votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, sipas tij, mbetet për t’u parë.
“Është herët që të flasim për rezultat konkret. Mbetet të shohim. Nuk e di, por duhet ta kemi parasysh që një mocion i dështuar e krijon pastaj një hapësirë kohore për Qeverinë, që nuk mund të ketë një mocion të ri pa kaluar një afat kohor. Mendoj se është prej 3 muajsh. Prandaj, duhet mirë të matet çfarëdo lloj veprimi që të merret para se të bëhet kërkesa për mocion. Për sa i përket nënshkrimeve për mocion, kjo realizohet më lehtë, por a do të jenë votat në numër, këtë mbetet ta shohim”, theksoi Aliu.
Shpipe Pantina, deputete e subjektit opozitar, Partia Socialdemokrate, thotë se e kanë mirëpritur nismën e kreut të LDK-së, Isa Mustafa, për takimin e subjekteve opozitare, për të dëgjuar qasjen dhe strategjinë për realizimin e suksesshëm të mocionit për rrëzimin e Qeverisë.
Sipas saj, subjekti që ajo i takon tash e sa kohë ka deklaruar se e mbështet një mocion të tillë. Por, siç thotë ajo, për të siguruar numrin e domosdoshëm të votave për ta rrëzuar Qeverinë duhen edhe disa vota të partive në pushtet. Për ta realizuar këtë, sipas saj, duhet pasur strategji dhe duhet t’iu ofrohet diçka që është në interesin e deputetëve të partive që janë në pushtet.
“Ndryshe, natyrisht që për partitë që janë në pushtet do të ishte e pakuptimtë që ta rrëzojnë vetveten, nëse nuk kanë një ofertë, në kuptimin se diçka do të ndryshojë në këtë vend. Vetëm ndërrimi i kryeministrave apo i partive, nëse nuk ka ndërrim rrënjësor të mënyrës së qeverisjes, nuk është zgjidhje. Ne nuk do të ishim të interesuar ta rrëzojmë një qeveri, për të qenë sërish pjesë e qeverisë Partia Demokratike e Kosovës”, tha Pantina.
Sidoqoftë, një nismë e ngjashme për rrëzimin e Qeverisë nga ana e partive opozitare ka ndodhur edhe në vitin e kaluar. Ajo kishte dështuar për shkak të pamundësisë për të siguruar 61 votat e nevojshme. Partitë opozitare, asokohe patën thënë se u mungonin 3 vota për rrëzimin e Qeverisë. /rel/Telegrafi/