Adama Barrow së shpejti do të jetë në vilën presidenciale, që ndodhet në Banjul të Gambisë.
Ai do ta marrë postin e presidentit, pasi e mundi me një epërsi të madhe Yahya Jammehin – që e drejtoi shtetin për 20 vjet, transmeton Telegrafi.
Por, 51-vjeçari Barrow, nuk ka qenë më parë në ndonjë pozitë kaq komanduese.
Në vend se të përfaqësonte politikat e vendit në shtetet e jashtme, apo të nderonte vizitorët shtetërorë, ai ka punuar si roje në supermarket, ku është kujdesur që të shikojë klientët mos po vjedhin.
Kjo ka qenë puna që e ka bërë Barrow, prej 1998 deri më 2002 në Londër, ku studionte menaxhimin e pronave. Kur u kthye në vendin e tij të vogël në Afrikën Perëndimore, e hapi një agjenci të suksesshme biznesi.
“Kemi dëgjuar se ai ka qëndruar jashtë vendit, jo si ndonjë zyrtar i lartë. Ai ka punuar në Argos, në Britani të Madhe”, ka thënë lideri i opozitës, në përpjekje që ta vë poshtë autoritetin e tij.
“Ajo kohë ma ka mësuar rëndësinë e të punuarit, shumë dhe me përkushtim, gjë që më ka ndihmuar që të kem sukses në biznesin tim. Të njëjtën përvojë do ta shfrytëzojë edhe për rimëkëmbjen e vendit”, ka thënë presidenti i zgjedhur me shumicë votash.
Ndryshe, banorët e Gambisë ishin lodhur nga regjimi i mëparshëm që erdhi në pushtet me anë të grusht shtetit duke zënë çdo pozitë udhëheqëse. /Telegrafi/