Site icon Telegrafi

Oportunizmi dhe servilizmi si dukuri që gërryejnë besimin publik

Ilustrim

Bardh Q. Musa

Në korridoret e politikës, aty ku fati i një kombi përcaktohet me marrëveshje në zyrat e mbyllura, gjithmonë gjen vend një specie që mbi jetën, integritetin dhe vlerat vë interesin personal. Kjo është feja e oportunistit: ai që përshtatet me çdo rrethanë vetëm për të mbajtur vendin e vet në skenë. Ky lloj politikani nuk udhëhiqet nga ideali, as nga përkushtimi ndaj publikut, por nga kalkulimi i ftohtë i përfitimit. Ai nuk ka shtyllë kurrizore ideologjike, por një busull që drejtohet nga era e pushtetit. Çdo parim, çdo ideal, çdo program partiak është i negociueshëm, mjafton që rrugët e tij drejt majës së piramidës së partisë apo shtetit të mbeten të hapura.

Krahas oportunistëve që rrëshqasin nga një krah në tjetrin, një tjetër hije lëviz me lehtësi në muret e zyrave partiake: servili. Ai është ai që mban pas pallton e kryetarit, që ngre duart i pari kur lideri flet, që thotë “po” pa menduar dy herë. Servili nuk kërkon asgjë më shumë sesa një buzëqeshje aprovuese të “të madhit” e një copë privilegji. Nuk ka rëndësi çfarë ndodh me parimet, me kauzat a me votuesit; rëndësi ka të qëndrosh i lidhur fort me njeriun e pushtetshëm. Për servilin, besnikëria ndaj një ideje është një koncept i pavlerë. Ai i shtrohet udhëheqësit njësoj si një qilim i bukur, gati për t’u shkelur, vetëm e vetëm që t’i dhurohet ndonjë post, ndonjë kontratë, apo ca privilegje personale.

Për fat të keq, kombinimi i oportunizmit dhe servilizmit brenda partive politike nuk është thjesht një fenomen sociologjik, është një gangrenë që gërryen besimin publik te sistemi demokratik. Kur partia kthehet në një klub i të privilegjuarve që rrotullohen rreth një figure qendrore, politika degradon në një lojë interesash, në një enigmë ku çdo pjesë vendoset sipas ambicieve të ngushta. Votuesi, qytetari i thjeshtë, mbetet spektator i shtyrë në periferi të skenës, duke parë se si premtimet, idealet dhe angazhimet mbyten në lumturinë e heshtur të servilizmit dhe kalkulimin e pamoralshëm të oportunizmit.

Por, shoqëria ka një forcë të madhe: ajo mund të zgjedhë. Një elektorat i vetëdijshëm dhe vigjilent mund t’i nxjerrë në pah këta aktorë të dëmshëm, t’i ndëshkojë me votë, t’i zhveshë nga iluzioni i “besnikërisë” së tyre. Vetëm kur oportunisti dhe servili mbeten pa lavdinë e privilegjeve, vetëm atëherë parimet e vërteta, angazhimet ideologjike dhe përfaqësimi i sinqertë i interesit publik mund të zënë vendin që u takon. Vetëm atëherë mund të flasim për një politikë të shëndetshme, ku interesi kombëtar nuk humbet në mes të rreshtave të heshtur të një servilizmi apatik dhe oportunizmi të pafytyrë.

 

 

 

Exit mobile version