Rritja e sheqerit dhe yndyrës në gjak, bëri që 46 vjeçari për katër vite të mos të mund të ecte, pasi që pasojat e sheqerit dhe yndyrës në gjak dërguan deri në mbylljen e aortës abdominale dhe arterieve të pelvikut dhe këmbëve.
Që nga viti 2010, ai kërkoi shërim derë më derë, por asnjëherë nuk kishte gjetur, deri kur iu nënshtrua operacionit me rrezikshmëri të madhe, në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK, ku për këtë u bë intervenim i hapur, duke kombinuar metodën e hapur dhe metodën e mbyllur.
Megjithëkëtë, është bërë largimi i trombëve nga aorta abdominale dhe arterieve e të pelvikut, arterieve ijake interne dhe arterieve të këmbës.
Pacienti Bajram Rama, pas operacionit filloi të ecte, por ai nuk mund t’i besonte vetes.
Rama i tha KosovaPress-it se tani ndihej më mirë se asnjëherë, duke thënë se ka rilindur përsëri.
“Kam qenë komplet i bllokuar nga këmbët e të poshtë, nuk më ka funksionuar asgjë. E tash jam mirë shumë, sikur me ja nis për së dyti herë me ec”, ka treguar Rama.
Ai ka treguar për operacionin por edhe si jetoi kohën kur nuk mund të lëvizte më shumë se 20 metra.
“E kam kryer një operacion goxha të madh, aortën abdominale. Që katër vite nuk kam mundur të ec hiç, e sidomos në vitin e fundit as 20 metra nuk kam mundur të ec. Tash doktori Bekim Ademi më ka bërë operacion këtu në klinikën Vaskulare, jam mirë shumë, me ec po eci pa problem”, ka rrëfyer Rama.
E operacion si ky thuhet se u bë për të parën herë në Kirurgjinë Vaskulare.
Kirurgu, Bekim Ademi, në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, në një intervistë për KosovaPress, ka treguar për problemin e 46 vjeçarit dhe si erdhi deri te operimi.
“Ka pasur mbyllje komplete të aortës abdominale në nivelin e arterieve renale me mbyllje të plotë të të gjitha arterieve të pelvikut dhe deri te arterite femorale, arterie të cilat e furnizojnë këmbët me gjak, si dhe arteriet ilake interne të cilat i furnizojnë organet e brendshme, organet gjenitale me gjak. Pacienti ka dy, apo tri vite i cili ka pengesa në ecje, nuk mund të ec më shumë se 10 metra, do të thotë nuk ka kllaudikacione, gjithashtu ka pasur probleme të disfunksionit erketiv, domethënë funksionit të potencës për shkak të mungesës së gjakut në organet gjenitale”, tregon Ademi.
Kirurgu Ademi, më pas ka treguar se në çfarë mënyrë e intervenimit të këtij operacioni, ku sipas tij një intervenim i tillë nuk është bërë më herët pasi pacientët kanë qenë më të moshuar.
Më tej, ai ka shtuar se pas intervenimit i është bërë qarkullimi i gjakut në këmbë, është rivendos qarkullimi i gjakut në pelvik, në organet gjenitale, në prostatë, si dhe në pjesën e poshtme të zorrëve.
Dhe sipas tij, një intervenim si ky ka pasur rrezikun e vet.
“Komplikimet kanë mundur të jenë fatale, do të thotë me mbyllje komplete të aortës kemi mundur t’i shkaktojmë probleme më të mëdha në organet e sistemit kardio-vaskular, por fatmirësisht operacioni ka kaluar shumë mirë”, tha Ademi. /Telegrafi/