Site icon Telegrafi

Operatorët mobil vazhdojnë të operojnë ilegalisht

Kryetari i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Ekrem Hoxha ka pranuar se edhe në këtë moment vazhdojnë të operojnë ilegalisht operatorët mobil në vendin tonë. Ai ka shtuar se falë marrëveshjes për telekomin në Bruksel, operimet ilegale do të legalizohen.

Hoxha para anëtarëve të komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, tha se deklaratat e kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, i ka quajtur emocionale dhe me vështrim monopolist. Mustafa ditë më parë kishte deklaruar në media se ARKEP me mos dhënie në shfrytëzim të brezit të ri frekuencor po e dëmton kompaninë në zhvillimin e saj.

Kryetari i komisionit për buxhet dhe financa, Naser Osmani ka kërkuar të dijë se çfarë po ndodh me kërkesat e Valës. “Kohët e fundit po dëgjoj që këta kanë kritika prej drejtorit të Valës, se këta po vonohen që ata të jenë më të pajisur me këto licenca, çka i marrin nga ju për 4 G e funksionim më të mirë. Këto reflektojnë edhe në menaxhimin, edhe në suksesi n e Valës, besoj që është mirë edhe këtë me sqarua pse është ajo akuzë e ndërsjellët publike”, tha Osmani.

Ekrem Hoxha, kryetar i bordit të ARKEP, tha se kritikat me emocione nuk i komentojmë. “Kritika e bërë publike nga Vala me emocione pak edhe me vështrim monopolist të tregut nga rregullatori si trup nacional rregullator, natyrisht se nuk komentohet. ….Procesi është duke u ndjek sipas ligjit. Ligji për komunikime elektronike parasheh që dhënia në shfrytëzim, jo shitja se këto nuk shiten por jepen në shfrytëzim për një afat të caktuar kundrejt një çmimi që e cakton rregullatori sipas metodologjive globale botërore të pranuara është në procedurën përmbylljes. Shpresojmë që në mes të tetorit ky proces duhet të përmbyllet me vendimmarrjet efektive që gjendën aplikim për të dy operatorët në mënyrë proporcionale dhe të njëtrajtshme”, tha Hoxha.

Sipas tij, çmimi do të jetë unik për të dy operatorët dhe operatorët mbi bazën e planifikimit biznesorë do të mund të deklarohen se sa mund të blejnë.

Po ashtu, anëtarët e komisionit kanë kërkuar të dinë nga Hoxha se a ka operime ilegale në Kosovë.

Kurse, Latif Gashi, anëtar i komisionit për buxhet dhe financa ka kërkuar nga Hoxha përgjigje konkrete për operimet ilegale në Kosovë. “A ka operatori ilegal që funksionojnë në Kosovë. Të kisha lut me na njoftua shkurt pa politikë edhe nëse funksionojnë ata operator ilegal, a keni marrë ju ndonjë masë si institucion, cilat masa i keni marrë apo është mungesë e pavarësisë institucional që po thirreni në ato”, tha Gashi.

Hoxha ka pranuar se edhe në këtë moment vazhdojnë të operojnë ilegalisht operatorët mobil në vendin. “Operimet ilegale edhe sot që po flasim vazhdojnë me operuar, fatmirësisht fal marrëveshjes së arritur nga Qeveria e Kosovës për marrëveshjen e telekomunikacionit, ne si trup profesionale rregullatorë besojmë që është bërë një zgjidhje shumë e mirë e cila do të siguroj ligjshmëri në vendin tonë, do t’i sjell këto operime ilegale në kornizën ligjore”, tha Hoxha. /Telegrafi/

Exit mobile version